Vllaznia ka hyrë në këtë sezon me një objektiv të qartë për të qenë në katër më të mirat në fund të sezonit. Mirëpo rezultatet e fazës së parë të sezonit duket se nuk u japin të drejtë kuqebluve për të qenë brenda objektivave. 12 pikë të arritura në 9 ndeshjet e kësaj faze, duket se janë shumë pak për Vllazninë për të qenë në katërshen e parë.

Shkodranët momentalisht renditen të pestët, duke qenë me kuotë të barabartë pikësh me Skënderbeun e vendit të gjashtë. Ndërsa para saj në katërshen e parë janë pikërisht emra të tillë si Egnatia, Partizani, Laçi e Tirana.

Vllaznia ka arritur që të ketë një shpërndarje në proporcion të drejtë të fitoreve, barazimeve e humbjeve, nga tre në secilën kolonë. Në këto javë kuqeblutë kanë arritur që të shënojnë 11 gola dhe të pësojnë 9 të tillë.

Me një mesatare 1.2 gola të shënuar për ndeshje dhe 1 gol të pësuar për çdo takim të luajtur. Në numrin e golave të shënuar, kapiteni Bekim Balaj është ai që ka udhëhequr ekipin në këto rezultate. Ai ka shënuar 6 nga 11 golat e realizuar.

Ndërsa pas tij mbrojtësi Stojanoviç ka arritur që të shënojë dy gola për ekipin e tij. Nga një gol kanë shënuar Lorik Boshnjaku e i riu Antonio Delaj, ndërkohë një prej 11 golave, pikërisht në përballjen e fundit ndaj Skënderbeut, ka qenë autogoli i Dumfurit.

Vllaznia ka hasur jo pak probleme në repartin e prapavijës. Ajo nuk ka arritur që të ruajë portën e saj të paprekshme vetëm në 3 takime.

DËMTIMET- Mungesat kanë qenë një ndër problemet kryesore të Vllaznisë në fazën e parë. Jo pak, por afro 10-11 lojtarë janë dëmtuar apo kanë qenë të pezulluar.

Dëmtimet kanë qenë të shumta dhe kjo sidomos në prapavijë. Pothuajse të gjithë lojtarët e mbrojtjes me përjashtim të Stojanoviçit kanë pësuar dëmtim dhe madje disa prej tyre vijojnë që të jenë të dëmtuar.

Ndërsa performanca e lojtarëve të afruar në merkaton e verës ishte jashtë çdo pritshmërie. Disa prej tyre nuk kanë përligjur afrimin e bërë. Këtë e kanë vërtetuar në njëfarë mënyre edhe vetë përzgjedhjet e bëra nga trajneri Memelli.

Gjithsesi, vendi i pestë vetëm një pikë larg vendit të katërt lë të shpresohet se mundësitë për të qenë në katërshen e parë janë aty afër.