Teksa është rikthyer në Superiore pas 9 vjetësh, Dinamoja i ka shfaqur hapur ambiciet për të ndërtuar një skuadër kompetitive, duke synuar lavdinë e dikurshme të emrit të vet. Dhe piketat e skuadrës së Superligës nisin që nga porta, ku blutë nuk heqin dorë nga portieri i Apolonisë, Romeo Harizaj.

“Gardiani” fierak, tanimë edhe pjesë e Kombëtares së parë, ishte një nga lojtarët më të spikatur tek Apolonia në edicionin që lamë pas në Superligë, duke qenë njëherësh edhe kapiten i skuadrës.

Mes përfaqësuesve të të dyja skuadrave ka pasur bisedime pas përfundimit të kampionatit dhe një dakordësi verbale. Klubi fierak u ka premtuar dinamovitëve se Harizaj do të jetë pjesë e Dinamos, nëse nuk shitet jashtë Shqipërisë.

Me sa duket, tregu i huaj nuk ka ofruar oferta të kënaqshme dhe nënshkrimi me Dinamon mbetet një formalitet kohe, çka mund të ndodhë menjëherë pasi portieri Harizaj të kthehet nga angazhimet e tij me ekipin kombëtar.

Veç Harizajt, dinamovitët kanë shfaqur interes edhe për sulmuesin Mario Gjata, që ka debutuar së fundmi dhe me Shpresat e Shqipërisë. 20-vjeçari që realizoi 8 gola për Apoloninë në Superligë, ka pasur oferta edhe nga jashtë, por Dinamoja duket një pistë
serioze për të riun fierak.