Alen Sherri do të jetë përsëri pjesë e Kaljarit në vijimin e sezonit pasi ka mbyllur huazimin te Frozinone në Serinë B.
Portieri i Kombëtares shqiptare i ka dhënë fund etapës te Frozinone ku e nisi si titullar, por më pas përfundoi në pankinë si pasojë e një dëmtimi. Megjithatë, kthimin e tij te klubi i Serisë A e kërkoi pikërisht Kaljari, për shkak të ndryshimeve që do të bëjë gjatë janarit.
Portieri i dytë i Kaljarit, Boris Radunoviç, do të transferohet te Specia ndaj Sherrit i është kërkuar që të kthehet në bazë për të bërë rolin e zëvendësuesit të Elia Kaprile i cili ka marrë fanellën e titullarit te sardët.
Sherri nuk ka humbur kohë dhe në pritje të plotësimit të dokumentacionit, është shfaqur në stadium që të premten në darkë, kur Kaljari priste Milanin në ndeshjen që hapi Serinë A për vitin 2026, siç ka treguar vetë portieri me një foto në rrjetet sociale.



