Mesi e ka vendosur dhe tashmë i është futur një rruge pa kthim, asaj të largimit nga Barcelona. Edhe pse në Katalonjë kanë dëshirë të bëjnë të pamundurën për të sheshuar problemet, tashmë duket se është vonë. Klubet pretendente për sulmuesin kanë nisur luftën me njëra-tjetrën se kush mund të kënaqë më shumë interest e argjentinasit.
Në këtë pikë Siti dhe PSG janë të veçuara nga të tjerët, ndërsa së fundmi mediat e Argjentinës bëjnë të ditur se drejtori sportiv i francezëve, Leonardo ka shprehur vullnetin për t’i ofruar Mesit 50 milionë euro në sezon, ndërsa theksohet se sheiku Al Kelaifi ka fuqinë të formojë një treshe si ajo, Mbape-Nejmar-Mesi.
Por, ka edhe nga ato njerëz që më shumë se te paratë besojnë te ndjenjat dhe emocionet. Këtë mund t’i ofrojnë te klubi i Njuells Olld Bojs, Mesit.
Tifozët e klubit argjentinas kanë pushtuar rrugët e Rozarios teksa ëndërrojnë për një rikthim (klubi ku Mesi ka nisur karrierën) të idhullit të tyre.
33-vjeçari e ka shprehur dëshirën për ta mbyllur karrierën me Olld Bojs, por duket se është ende shpejt pasi ka shumë për të dhënë në Europë, teksa dëshira e tij mbetet një tjetër trofe i Champions League. /VipSport/