Nga Gjergj KOLA
Pas një periudhe disi të vështirë pas largimit nga Franca, për portierin shkodran Gabriel Guri vijnë lajme të mira. Që prej fillimit të sezonit, ai i është bashkuar ekipit U20 të Sassuolos. Drejtuesit e tij e kanë parë për disa ditë në stërvitje dhe janë bindur menjëherë për aftësitë e tij dhe nuk kanë hezituar ta bëjnë pjesë të tyre.
Një meritë të madhe për këtë transferim padyshim që ka edhe menaxheri shkodran Benardin Kulla. Dhe në fakt, Gabrieli po ua shpërblen të gjithëve. Kuptohet që nuk ka qenë e lehtë për të fituar një vend në portë sepse portieri Nyarko ka bërë paraqitje shumë të mira.
Guri ka luajtur një ndeshje si titullar në fillim të kampionatit, ndërkohë që pardje ka luajtur edhe të dytën ndaj Bolonjës. Dhe ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke u vlerësuar nga “SofaScore” me notën më të lartë 7.5 ndër të gjithë futbollistët e Sassuolos në ndeshjen e humbur me rezultatin 0-1.

Madje kanë qenë pritjet e portierit shqiptar ato që nuk kanë lejuar këtë skuadër të pësojë edhe gola të tjerë. Nisur nga kjo paraqitje, Gabriel Guri pritet të jetë titullar edhe në ndeshjen e nesërme ndaj Frosinones. Kujtojmë që të dhënat e këtij portieri janë shumë të mira dhe jo më kot ai për një sezon ka luajtur edhe me ekipet e moshave të PSG.
Kujtojmë që Gabriel Guri ka lindur më 24 mars 2006 në Velipojë dhe hapat e parë të karrierës i ka patur me ekipet e moshave të Adës, për të kaluar më pas tek Murlani, nga ku u tranferua në Francë. Fillimisht tek Châteauroux dhe më pas tek PSG ku u shpall edhe kampion me ekipin U19 dhe më pas luajti për Le Havre. Gjatë këtyre viteve ka luajtur edhe dy ndeshje me kombëtaren U19 të Shqipërisë dhe vetë ai shpreson që duke luajtur me Sassuolon, të marrë edhe ftesën për të luajtur me kombëtaren U21.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


