Luan Zmijani ka vlerësuar pozitiv isht ecurinë e Vllaznisë në fazën e tretë të sezonit.

Sipas trajnerit aktual të ekipit të 19-vjeçarëve kuqeblu, java që sapo u mbyll ka folur për skuadrën shkodrane duke bërë të mundur që sërish të shkojë në katër pikë diferencë nga ndjekësja më e afërt, Teuta.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i Vllaznisë, por edhe i Partizanit, shprehet se e sheh si një ndeshje rivalësh përballjen e së mërkurës mes këtyre dy skuadrave.

Vllaznia po ndryshon pozitivisht, por ajo që duhet në këto momente është që të kalojë me sukses takimet që ka në fushën e vet, duke filluar që nga takimi me Partizanin.

Arritja e pikëve maksimale në përballjen e nesërme nuk është e pamundur. Pavarësisht se atmosfera në kampin e Partizanit ka ndryshuar pozitivisht pas fitores me Luftëtarin.

Zmijani, si është situata momentale e Vllaznisë sipas jush?

Mund të them se situata ka ndryshuar pozitivisht, sidomos në fazën e tretë të sezonit. Skuadra po tregon më shumë vendosmëri dhe siguri në lojë.

Ndryshimi është i dukshëm për mirë, por ka sërish presionin e mbijetesës dhe nuk arrin që të shprehet edhe më mirë. Marrja e pikëve ndeshje pas ndeshjeje u jep më shumë siguri edhe lojtarëve.

Si e vlerësoni pikën e arritur në Kamzë?

Mund të them se ka qenë një pikë me shumë vlerë, por do të thosha që kjo javë tërësisht ka folur për Vllazninë.

Ne morëm një e nga ana tjetër, Teuta humbi në Kukës. Katër pikë diferencë me ekipin e Teutës janë pak, por në momente të tilla konsiderohen edhe shumë.

Një pikë herë-herë është shumë e rëndësishme. Mendoj se skuadra edhe në këtë takim e kishte vëmendjen për të arritur barazimin. Mendoj se u arrit ajo që u kërkua.

Mendoni se skuadra po e kalon krizën në të cilën ndodhet?

Pa u arritur mbijetesa, nuk mund të them se ka kaluar kriza. Skuadra po funksionon më mirë, ka më tepër grintë, por ka një rrugë të gjatë përpara.

Për fat të keq, nga takimi në takim, Vllaznia mund të futet në krizë. Një humbje të fut në probleme dhe një fitore të jep një plus më shumë për të siguruar mbijetesën.

Deri në fund, unë e shikoj të hapur luftën për mbijetesë. Pra, po marrim disa rezultate pozitive, por ka ende shumë rrugë e pikë në lojë për të qenë të qetë.

Një përballje tjetër e vështirë do të jetë ndaj Partizanit, si e shikoni këtë takim?

Fitorja që Partizani arriti ndaj Luftëtarit është mjaft pozitive për këtë skuadër. Kanë fituar entuziazëm dhe do të kërkojnë që të kenë vazhdimësinë.

Fitorja me Luftëtarin ka shtuar ambiciet e kësaj skuadre për të dalë në Kupat e Europës. Nga ana tjetër, edhe ekipi ynë vjen pas një serie rezultatesh pozitive.

Prandaj mund të them se nuk shikoj ndonjë disnivel mes tyre. E shikoj si në kohërat e hershme, një përballje mes rivalëve.

Për Vllazninë do të jetë një takim i vështirë, por asnjëherë i pamundshëm. Unë kam besim se skuadra do të tregojë një lojë të mirë dhe do të arrijë pikët maksimale.

Në Shkodër, Vllazninë nuk duhet që ta kënaqë asnjë rezultat tjetër veç fitores.