Situata me COVID-19 sjell ndryshime drastike përsëri në futbollin europian. Masat higjenike që janë marrë deri tani nuk mjaftojnë dhe stadiumet që kishin filluar të mbusheshin pak nga pak, së shpejti do të fillojnë të zbrazen përsëri.
Vendimin e parë e ka marrë si zakonisht Gjermania, ajo që kishte qenë pararojë për kthimin e futbollit në kontinent.
Agjencia e lajmeve DPA në Gjermani bëri të ditur se rritja e masave për të evituar përhapjen e COVID-19 do të përfshijë edhe mbylljen e stadiumeve për tifozët, pasi mendohet se mund të kthehen në vatra infeksioni, edhe pse tashmë lejohet vetëm një numër i vogël i tyre në impiant.
Qeveria gjermane ka vendosur që të ashpërsojë masat tani për të ndalur një valë të fortë infeksioni në vend, me kancelaren Merkel e cila deklaroi se kjo do të lejonte që për pushimet e fundvitit, njerëzit të ishin më të lirshëm në lëvizjet e tyre.
Deri tani, Liga Gjermane kishte arritur të siguronte praninë e deri më 20% të tifozëve në stadium, edhe pse disa klube, mes të cilave Bajern Mynih, kishin vendosur që të mos e shfrytëzonin këtë mundësi. /vipsport/