Vllaznia është në dilemë për sa i për ket emrit që do të drejtojë skuadrën për sezonin e ri. Stafi drejtues i klubit ende nuk ka marrë një vendim, por ajo që habit në këtë situatë, është se kanë nisur lëvizjet në merkato pa një trajner në krye të skuadrës. Agim Canaj, i cili mbylli sezonin si trajner i shkodranëve, shikohej si një nga kandidaturat kryesore për të vazhduar në “timonin” e kuqebluve edhe në Kategorinë Superiore.

Mirëpo, deri në këto momente, drejtuesit e klubit dhe vetë Canaj nuk duket se kanë ndonjë gjë konkrete për të rikonfirmuar vlonjatin në stol. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, vetë Canaj ka thënë se mbetet në pritje të lëvizjeve të klubit. “Nuk kam asgjë konkrete. Kam pasur kontakte me administratorin Lici, por nuk kemi diskutuar asgjë”, është shprehur Canaj.

PISTAT E TJERA
Pavarësisht se Agim Canaj shikohej si pista kryesore për të vazhduar punën te Vllaznia, duket se drejtuesit e klubit po shikojnë edhe mundësi të tjera. Një nga pistat që mësohet se ekziston në këto momente është afrimi i një trajneri të huaj. Gazeta zbulon se drejtori sportiv, Engin Firat, prej ditësh ka biseduar me dy kroatë për stolin. Emrat mbahen sekret, por nëse gjërat në klub marrin drejtimin e duhur sa i përket administrimit, atëherë nuk është çudi që trajneri i ri i Vllaznisë të jetë me origjinë nga Kroacia.

Në një situatë të tillë, nuk përjashtohet mundësia që edhe vetë Firat të ulet në stol. Turku erdhi në Shkodër verën e kaluar për të qenë trajner, por më pas iu besua posti i drejtorit sportiv, pasi kryebashkiakja Ademi zgjodhi Hasan Likën. Në prononcimin e fundit për “Panorama Sport”, Firat deklaroi se do të preferojë të marrë drejtimin e ekipit nëse ikën nga Vllaznia.

Ndërkohë, gazeta mëson se në tavolinën e drejtuesve është edhe emri i trajnerit italian, Andrea Agostineli, i cili ka drejtuar në të kaluarën Partizanin dhe Skënderbeun. Koha po kalon dhe kur duhet më shumë se një muaj nga fillimi i kampionatit, Vllaznia ka vetëm 6 lojtarë nën kontratë, ndërsa nuk dihet se kush do të jetë trajneri i ri./panorama-sport/