Sipas “The Times”, klubet e Premier League nuk do të mbajnë më minuta heshtjeje për ngjarje që nuk lidhen drejtpërdrejt me futbollin.
Federata Angleze e Futbollit (FA), Liga Premier dhe EFL kanë rënë dakord për një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si futbolli anglez reagon ndaj ngjarjeve ndërkombëtare.
Tre organizatat kanë krijuar një grup të ri pune, të quajtur “World Events Working Group” (WEWG), që do të monitorojë reagimet e futbollit anglez ndaj zhvillimeve të mëdha në botë.
Vendimi vjen pas shqetësimeve se nderimet e shpeshta për tragjedi apo çështje globale po humbasin peshën dhe ndikimin e tyre simbolik.
Sipas udhëzimeve të reja, minuta heshtjeje apo homazhe me ndriçime speciale do të zhvillohen vetëm kur ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë me futbollin apo me komunitetin sportiv që preket nga ngjarja.
Gjithashtu, FA ka konfirmuar se harku i famshëm i “Wembley Stadium” nuk do të ndriçohet më për kauza globale apo shoqërore, por vetëm për ngjarje që lidhen me futbollin ose me ngjarje argëtimi që zhvillohen në stadium.
Ky ndryshim shënon një qasje të re të institucioneve të futbollit anglez, të cilat synojnë të ruajnë seriozitetin dhe kuptimin e momenteve përkujtimore brenda kontekstit sportiv.







