Një fat shumë i madh për Dinamon, projekti i bashkëpunimit me Mançester Sitin! E thotë me forcë presidenti i kësaj skuadre, Adrian Bardhi, i bindur për një rikthim të fuqishëm të 18 herë kampionëve të vendit, falë projektit që sapo ka nisur të marrë jetë dhe që pritet ta transformojë në çdo hallkë klubin.
“Po, po, është një fat shumë i madh për Dinamon ky projekt. Absolutisht. Logoja? Ka ndryshuar vetëm diçka për shkak të bashkëpunimit me Mançester Sitin, vetëm kaq. Dinamo mbetet Dinamo dhe një e ardhme e madhe e pret”, ka theksuar presidenti i bluve një ditë pas lajmit për ndryshimet e mëdha që kanë përfshirë klubin që ai drejton.
Numri 1 i këtij klubi nuk ka dashur të thotë më shumë, duke ia lënë gjithçka kohës, por ka bindjen e plotë se këtë herë po bëhet vërtet diçka shumë e madhe, që do ta rilindë Dinamon totalisht. Sipas tij, projekti i ri është i përmasave shumë të mëdha, ndaj dhe e konsideron fat faktin që i takoi Dinamos të jetë pjesë e tij dhe jo një klubi tjetër shqiptar.
SI DO TË FUNKSIONOJË – Nga dita në ditë ndryshimet do të reflektohen te blutë, por si do të funksionojë tani e tutje ky klub. Drejtuesit e Dinamos janë shprehur se gjithçka do të shpjegohet me detaje sapo gjithçka të marrë formë zyrtare, sepse është ende faza e plotësimit të dokumentacionit përkatës. Por gazeta mëson se tani Dinamo do të ketë një bord të ri, që do të marrë vendimet për çdo hap që do të hidhet.
Bordi i ri do të përbëhet nga presidenti Adrian Bardhi dhe tre aksionerët që i janë bashkuar atij, dy nga të cilët janë kompanitë “Mektrin Motors” dhe “Pelikan”. Aksioneri i katërt nuk është zbuluar për momentin. Nga burime të saj, “Panorama Sport” mëson gjithashtu se do të ketë një ristrukturim të plotë të të gjitha hallkave drejtuese të klubit. Bëhet fjalë për afrimin e personave ekspertë të fushës, emrat e të cilëve do të zbulohen me kalimin e kohës. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me drejtuesit aktualë të klubit blu, nëse mund të kalojnë në pozicione të tjera apo do të largohen përfundimisht.
E sigurt është se çdo vendim do të merret me shumë kujdes nga njerëz profesionistë të futbollit. Kuptohet që përgjegjësitë do të jenë më të mëdha, sepse edhe investimet do të jenë shumë më të mëdha në skuadrën e parë dhe gjithë sistemin zinxhir të akademisë. Bordi i ri pritet të organizojë takimin e parë deri në fundjavë dhe pas atij takimi mund të ketë zhvillime të reja. Selia e Dinamos, të paktën për momentin, mbetet në Arbanë, në kompleksin e ri.
SKUADRA E RE – Detyrimisht do të ndryshojë edhe skuadra e sezonit të ri, që nga stafi drejtues dhe grupi i lojtarëve. Për momentin askush nuk do që të flasë për këtë pjesë në klubin blu, por nuk është sekret që Luixhi di Biaxho ishte i pranishëm në miqësoren e fundit të Dinamos dhe logjika e thjeshtë është se ai e ka parë atë ndeshje me syrin e trajnerit të ardhshëm të saj.
Stafi aktual? Gjasat janë që në çdo rast të mbetet pjesë e klubit, por gjithçka mbetet për t’u parë. Kuptohet që trajneri Mehmeti, stafi i tij, por edhe lojtarët, janë çoroditur pak nga zhvillimet e fundit. Gazeta ka mësuar se te Dinamo do të ketë shumë seleksionime në vazhdim. Patjetër që do të ketë edhe një merkato të fuqishme, që duhet t’i përgjigjet projektit të ri. Blutë do të bëjnë goditje të rëndësishme, por çdo gjë do të kalojë në filtra shumë të imta. Sepse, siç po thuhet tashmë, ai që do të jetë pjesë e Dinamos, duhet ta konsiderojë veten me fat. Logjika e thjeshtë është se një pjesë e lojtarëve aktualë mund të largohen, ndërsa merkatoja do të sjellë surpriza.