Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, vlerëson kualifikimin e të kuqve për në raundin tjetër, por i kënaqur do të jetë vetëm kur të kalojnë në grupe. Kreu i klubit të kuq foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” pas ndeshjes në “Elbasan Arena”, duke dhënë direktiva të qarta për ekipin, pasi duhet të mundë edhe Astanën në raundin e “play off”-it për t’u futur në histori.
“Kur të shkojmë në fazën e grupeve do të jem shumë i kënaqur. Shpresojmë që të fitojmë ndeshjen e radhës dhe të shkojmë në grupe. Siç e patë, në ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve ndaj BATE Borisov nuk patëm fat, por këtë herë të shpresojmë edhe për pak fat që të kalojmë më tej”, u shpreh fillimisht presidenti i Partizanit.
Ai ndoqi nga afër suksesin e skuadrës që financon dhe nuk ngurroi të duartrokiste nga tribuna VIP suksesin ndaj Valmierës, duke u larguar i kënaqur nga stadiumi. Më tej, ai pohoi se skuadrës i ka plotësuar çdo kërkesë në merkato dhe nëse do t’i bëjnë ndonjë propozim shtesë, sërish do t’ia plotësojë trajnerit Zekiç.
“E di stafi punën e merkatos. Mua si president, çfarë kërkese më kanë bërë, ua kam plotësuar”, përfundoi Demi, i cili nuk është kursyer këtë merkato për të formuar një ekip që të konkurrojë denjësisht në Europë dhe sigurisht kampionatin shqiptar, ku pretendon të mbrojë titullin.
Kjo është hera e dytë në epokën e Demit që Partizani luan shanset në raundin “play off”, pasi diçka të tillë e ka bërë edhe në vitin 2016, kur ishte në Ligën e Europës dhe u eliminua rusët e Krasnodarin.