Bajerni po dominon në Gjermani, por në arenën ndërkombëtare, tashmë duket shumë larg pretendimeve që kishte për dominimin në kontinent. Këtë e ka kuptuar mirë Uli Hënes, i cili pasi ka përgatitur spastrimet e verës, duke u dhënë lamtumirën emrave si Riberi e Roben, po mendon edhe për investimet për të ardhmen.
“Jemi në procesin e rinimit të skuadrës. Ky është programi i investimit më i madh që ka bërë ndonjëherë Bajerni”, ishin fjalët e sotme të Hënes në një aktivitet marketingu. Fjalët vijnë në një moment kur media të ndryshme po publikojnë informacione për oferta relativisht të larta që kanë bërë bavarezët për futbollistë të ndryshëm.
Më i fundit është ai për mesfushorin e krahut të djathtë 23-vjeçar, Nikolas Pepe, për të cilin përflitet se janë ofruar 80 milionë euro për ta blerë nga Lilë. Kalum Hudon-Odoi i Çelsit është një tjetër futbollist që ndjekin bavarezët, ndërsa për të parashikohet të shpenzohen rreth 35 milionë euro.
Ndërkohë, Lukas Hernandez i Atletiko Madrid është gati të transferohet në Mynih, pasi të paguhet klauzola e largimit prej 80-milionë eurosh në arkat e Atletiko Madrid.
E përditshmja “Bild” insiston se klubi gjerman ka gati një çek prej 200 milionë eurosh, për ta vënë në dispozicion të kërkesave për përforcime gjatë merkatos së verës. Megjithatë, Hënes e di që kjo nuk do të garantojë domosdoshmërish edhe suksesin.
“Paratë kontrollojë futbollin, por përqindja vendimtare për të fituar tituj të rëndësishme përbëhet nga personaliteti i lojtarëve në fushë”, tha ai. /vipsport/