Fabricio Korsi ka mbetur i çuditur me vendimin e Inzagit për të mos i dhënë hapësira Kristjan Asllanit. Presidenti i Empolit, ku mesfushori shqiptar u bë i njohur, ka thënë për mediat italiane se ka ndjekur çdo ndeshje të ish-lojtarit të tij.

Korsi shprehet se ka mbetur i habitur me faktin se Interi i ka dhënë kaq pak minuta, duke ditur se disa lojtarë të rëndësishëm të zikaltërve kanë pasur një ecuri të keqe këtë sezon.

“I kam parë me kujdes të gjitha ndeshjet që ka luajtur Asllani, si kur ka luajtur një çerek ore, apo edhe kur ka luajtur një gjysmë ore. Të shtunën ka luajtur një çerek ore, ishte pothuajse perfekte nëse nuk ishte për një pasim të gabuar në fund drejt sulmuesve.

Jam absolutisht i habitur që nuk gjen hapësirë, në një kohë kur disa lojtarë të rëndësishëm po ecin shumë keq. Aty duhet të menaxhosh kampionë, ose kampionë të supozuar, kështu që menaxhimi i dhomave të zhveshjes mund të çojë në një menaxhim më të mirë të disa njerëzve”, ka thënë Fabricio Korsi./Sport Ekspres/