Igli Tare është tashmë një nga drejtorët sportivë më të mirë në Itali dhe jo vetëm. Këtë fakt nuk harron ta theksojë as presidenti i Lacios, Klaudio Lotito.

Në një intervistë për mediet italiane ai ka folur me superlativa për ish-yllin e kombëtares sonë. Ndërkohë, ai nuk harron “të përkëdhelë” as trajnerin Simone Inzagi ndërsa shprehet shumë entuziast për ecurinë e Lacios së këtij sezoni.

“Tare është një njeri shumë i vendosur. Flet plot pesë gjuhë dhe është një djalë i palodhur. Perfeksionist i madh. Është një nga më të mirët dhe na lidh një dashuri e madhe.

Inzagi është një timonier i shkëlqyer. Punon gjatë gjithë kohës dhe po rritet profesionalisht nga dita në ditë. Për momentin Lacio ka një ecuri shumë të mirë, duke u krahasuar me Juventusin, që ka fituar aq shumë dhe jam krenar për këtë”, përfundoi Lotito.

Lacio është në vendin e tretë në renditjen e Serie A, pas Interit dhe Juventusit. Disa ditë më parë kryeqytetasit arritën të thyejnë “Zonjën e Vjetër”, duke fituar Superkupën e Italisë dhe “zbulimet” e Tares janë padyshim shtysë e madhe në arritjen e këtij suksesi./vipsport/