Tërbuni arriti të mposhte pak ditë më parë Korabin me rezultatin 2-0 në javën e fundit të Kategorisë së Parë. Skuadra pukjane e mbylli kampionatin në vendin e 5-të dhe tani do të përballet me Apoloninë në fazën Play Off dhe skuadra fituese do të luajë me fituesen e çiftit, Korabi-Tomori. Ekipi që do të dalë nga këto ndeshje do të sfidojë vendin e 8-të të Superligës për një biletë në elitën e futbollit shqiptar.

Pas ndeshjes ndaj Korabit, Kryetari i Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj ka takuar futbollistët në dhomat e zhveshjes dhe u ka kërkuar të mposhtin me çdo kusht Apoloninë. Gjonaj ka lëshuar akuza të forta ndaj Koço Kokëdhimës, duke e cilësuar si kryetrafikant që ka trafikuar kampionatin e Kategorisë së Parë.

“Për ndeshjen tjetër do t’iu jap një milionë lekë. Do ua jap nga vetja jo nga ndërmarrja. Do të luajmë për atë ditë, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme që kemi. Unë do të prononcohem nesër ose pasnesër për kryetrafikantin e Kategorisë së Parë, Kokëdhimën.

Ai po trafikon gjatë gjithë kampionatit. Ta humbim kampionati, të shkojmë në Kategori të Dytë unë se kam problem, por Fierin e kam shumë problem. Kemi pësuar probleme fizike, probleme mentale edhe ekonomike prej tij. Kjo do të jetë prezantimi i parë me këto instancat kryesore, por prej jush kërkoj mobilizim.

Unë nuk dua asgjë tjetër, vetëm të mund Fierin. Nuk kam pretendime për të ikur apo për të qendruar. Unë personalisht, kam qenë në një trysni të jashtëzakonshëm prej tij dhe Federatës. Njeriu po kërkoi të rrijë si i madh të qëndrojë si i tillë, jo të bëhet i vogël si ai. Kërkoj mbështetjen tuaj totale, impenjim maksimal këtë javë. Ju e patë dhe vetë në një aktivitet 10 mujor pa asnjë lloj pisllëku.

Kështu që në këto kushte ia vlen që të dalim kryelartë me çfarë do llojë mundimi dhe sakrifice. Faleminderit prej jush!”, u shpreh Kryetari i Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj./newsport/