Zyrtarët e Flamurtarit kanë vendosur të bojkotojnë sot, në shenjë proteste ndaj dënimit të fushës vlonjate me 8 ndeshje pa praninë e tifozëve, transfertën ndaj Vllaznisë.
Drejt Shkodrës ka udhëtuar vetëm skuadra së bashku me stafin teknik, ndërsa presidenti Sinan Idrizi dhe drejtues të tjerë të klubit nuk do të jenë të pranishëm në këtë takim. I vetmi zyrtar që shoqëron ekipin është sekretari i përgjithshëm i klubit, Alfred Ferko.
Në shenjë proteste, në Shkodër nuk do të udhëtojnë as tifozët e Flamurtarit. Vendimi i klubit është bërë i ditur për median e shkruar dhe është konfirmuar nga vetë presidenti Sinan Idrizi.
“Në reagim ndaj vendimit të Komisionit të Disiplinës në FSHF, asnjë zyrtar i Flamurtarit nuk do të udhëtojë drejt Shkodrës. Nuk është e drejtë që për një incident të dënohet një qytet i tërë. Ekipi nuk do të bojkotojë kampionatin, por si zyrtarë do të bojkotojmë çdo aktivitet të Federatës Shqiptare të Futbollit”, është shprehur Idrizi.


