Besnik Kapllanaj ka folur pas ndeshjes që Vllaznia fitoi me rezultatin 0-1 ndaj Bylisit në Ballsh. Presidenti i Bylisit kishte akuza ndaj Sokol Jarecit, Kridens Metës dhe Adrian Beqiraj që ndodhej në VAR.

“Besoj e keni parë ndeshjen. Si është dukur? Deri në 90 minuta si iu duk juve? Mua më duket se po rikthehemi skenareve të vjetër, më kujtohet edhe me Vllazninë para dy viteve, që ky arbitri te VAR, Beqiraj dhe Kridens Meta vëzhgues, më duket sikur ishin skenar i Sokol Jarecit sot.

Unë kam menduar qëkur filloi loja. Në 10 minutat e para. Kemi marrë 4 kartonë të verdhë. Dhe rastet e Vllaznisë, të pandëshkuar. Që në fund të pjesës së parë, kur dilnim 3 kundër 2, ishte rast dhe karton, ai nuk e dha as faull dhe asgjë. Shikoni sa faulla i janë dhënë Vllaznisë dhe si i janë dhënë.

Si iu duket rasti i penalltisë? Ka dorë te gjoksi lojtari ynë apo jo?

Atëherë, nëse këto vijnë këtu dhe e fillojnë lojën me 4-5 kartonë, gjykojnë me dy anë. Jo me një standard. Kur neve na anulohet penallti, edhe kur ne bëjmë gol në fund dhe na hiqet, mendoj kjo është dhunë. Nuk vjen dhuna nga presidentët dhe klubet, por nga Sokol Jareci dhe arbitrat. Dhe Beqiraj. E kam akuzuar dhe kur ka ndodhur vjet me Tiranën, kur ishte Andi Koçi. E kam përmendur që arbitra si Koçi dhe Beqiraj nuk i bëjnë mirë kampionatit shqiptar. Këto bashkë me Kridensin nuk duhet të jenë më pjesë e federatës. Kjo është dhunë. Nuk më ka mbetur gjë tjetër. Pasi u anulua goli më mbeti pishman, që ekipi të rrinte statik dhe Vllaznia të vazhdonte dhe të shënonte gol.

Vrapi? Ishte arbitër kukull, nuk ishte në lojë fare sot. Ai komandohej nga lart. Kush është në VAR? Beqiraj, dhe Kridensi që ishte sot në fushë. Po e mbani mend ndeshjen me Vllazninë, ka qenë Kridensi në VAR dhe Beqiraj në fushë. Kemi qenë gati të braktisnim kampionatin.

Nuk është hera e parë. E dini shumë mirë çfarë penalltie iu dha Ballshit kundër Flamurtarit, ne nuk u ankuam. Dhe vetë arbitrat e kanë marrë mësim në seminar, dhe vazhdohet kështu. Nëse jemi Ballshi dhe na shohin si të vegjël, të na thonë që në fillim që nuk e keni vendin në Superiore. Ta shkrijnë ekipin B dhe të luajë ekipi i parë aty.

Çfarë hapa zyrtarë. Nuk kam unë hapa, nuk kam asgjë me drejtuesit e federatës. Gjithçka na vjen vetëm nga Sokol Jareci, përderisa është atje e ka edhe gurin dhe arrën në dorë, nuk kemi çfarë hapash të marrim. Ai të marri masa, të shikojmë çfarë masash do marrë ai”, u shpreh presidenti i Bylisit.