Fanella pa sponsor të stampuar përpara ra në sy tek Vllaznia në ndeshjen miqësore të luajtur pasditën e sotme në Medjugorje ndaj ekipit vendas. Në rrjetet sociale u hap lajmi se sponsori “Hospital One” është larguar nga Vllaznia, por një gjë e tillë mësohet se nuk është e vërtetë.

“Shkodra Sport” ka mësuar edhe shkakun se pse kuqeblutë u paraqitën me fanella të thjeshta, pa pasur asnjë sponsor, e cila ishte një paraqitje e çuditshme gjithsesi. Vllaznia luajti thjesht me uniformën kuqeblu, ku biente në sy vetëm stema e klubit.

Skuadra e trajnerit Memelli është paraqitur me fanella provizore për momentin, pasi po punohet për ato të rejat e sezonit të ardhshëm dhe kjo ka qenë arsyeja se pse fanellat ishin pa sponsor të stampuara.

“Shkodra Sport” kontaktoi edhe administratorin e “Hospital One”, Gjon Pepaj, i cili pohoi se marrëveshja e sponsorizimit të tij tek Vllaznia do të jetë afatgjatë dhe jo thjesht edhe për një vit tjetër.

Kështu, në ditët në vijim rinovimi i marrëveshjes mes dy palëve pritet të bëhet zyrtar, me KF Vllaznia dhe “Hospital One” që duken të kënaqur nga bashkëpunimi midis tyre. Në këtë mënyrë, merr fund edhe kjo “tymnajë” e krijuar në rrjetet sociale, me “Hospital One” që do të jetë sponsori kryesor i Vllaznisë të paktën edhe për sezonin e ardhshëm.
Maringlen ZHIVANI