Pas largimit nga Kukësi në vitin 2013, disa herë, Armando Cungu ka folur për eksperiencën te verilindorët, teksa arriti një sukses historik për kohën, duke kaluar tri ture në Ligën e Europës, pikërisht në sezonin debutues të skuadrës në Superiore.

Në qershor të vitit 2015, i ftuar në një prej kanaleve lokale të Shkodrës, kur është pyetur se cili president ka qenë më i vështiri për të punuar mes Safet Gjicit te Kukësi, Valter Fushajt te Vllaznia dhe Pashk Laskës te Laçi, Cungu ka dhënë këtë përgjigje: “Pa dyshim, Safet Gjici.

Një president shumë i ashpër. Ndonëse u bë kohë që jam larguar nga Kukësi, ende i kujtoj analizat e ditës së hënë të orës 12:00, që zhvilloheshin në zyrat e tij.

Analiza, që dukeshin si mbledhjet e byrosë politike të kohës së komunizmit, kur analizohej me hollësi çdo gjë.

Megjithatë, pavarësisht këtij karakteri të vështirë, unë i jam mirënjohës që më dha mundësinë të drejtoja Kukësin. Së bashku shkruam historinë”.