Altin Xhahysa men don se Vllaznisë i mungon ai organizatori tipik që jep pasimin e fundit për të shkuar te goli. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi kampion i Vllaznisë mbi dy dekada më parë, ka analizuar ecurinë e shkodranëve në këtë fazë të parë, ndërsa ka folur edhe për rikthimin si futbollist në moshën 48- vjeçare.


Altin, si ju është dukur faza e parë e kampionatit për Vllazninë?

Të them të drejtën kam pritur më tepër, duke parë lojtarët që ka në dispozicion Vllaznia. Megjithatë, edhe dëmtimet kanë bërë të vetën për rezultatet e deritanishme. Por një gjë e mirë është se te gjitha ekipet kanë bërë gabime shumë dhe nuk ka shkëputje pikësh me rivalët.

Mund të kishte marrë Vllaznia më shumë pikë me atë që ka dhënë në fushë deri më tani?

Them se po. Por e preka edhe më lart se duhet të guxohet me tepër. Natyrisht, trajneri ka qenë i kushtëzuar nga disa mungesa të rëndësishme dhe nuk është mirë, sepse ndryshon shumë në rreshtim.

Cila është pika më e dobët sipas jush që duhet korrigjuar në vazhdimësi me skuadrën?

Për sa u përket pikave të dobëta në skuadër, unë gjykoj se Vllaznisë i mungon një organizator i mirë, që jep topin e fundit për sulmuesit. Edhe këta të fundit mendoj se nuk kanë bërë punën e duhur në ekip. Pastaj, unë mendoj se nuk është mirë për ekipin që të ketë ndryshime në rreshtim gati çdo javë dhe kjo ka ndikuar jo pak në skuadër.


Me Bylisin fitoi me vuajtje, çfarë ju bëri më tepër përshtypje në këtë takim?

Ishte një lojë me dy tablo, por në fund më habiti ekipi. Nuk është se ishte një ndeshje e vetme, se edhe në të tjerat kemi shënuar dhe jemi tërhequr në mbrojtje, por nuk e kuptoj pse ndodh kjo. Nuk më pëlqen kjo mënyrë, sepse është e trashëguar që nga sezoni i fundit. E përsëris që duhet të guxohet më tepër, pasi Vllaznia i ka mundësitë.


Të shtunën Vllaznia pret Erzenin, një kundërshtar që i shkaktoi humbjen e parë këtë sezon…

Erzeni ka bërë mirë, por nuk ka atë presionin që ka Vllaznia. Ekipi shijakas luan lirshëm dhe prandaj ka marrë këto rezultate.


Duke u bazuar tek ajo që ka prodhuar faza e parë, e fusni Vllazninë ndër skuadrat pretendente për titull?

Për sa i përket titullit, të them të drejtën nuk mundem të veçoj asnjë ekip, sepse ka shumë ndryshime nga java në javë në paraqitjen e skuadrave. Gjithsesi, Vllaznia duhet të besojë fort te grupi dhe të luajnë në çdo ndeshje me besim për fitore.


Faktin që trajneri Josa po ju jep dorë të rinjve, si e keni parë?

Patjetër që dua të them edhe dy fjalë për lojtaret e rinj si Alivoda dhe Smajli, që janë duke luajtur në formacion. Është gjë e mirë për Shkodrën dhe Vllazninë, pasi buka bëhet më e mirë me miellin tënd. Këtu ka një meritë të madhe Josa, që u ka besuar të rinjve, sepse nuk është e lehtë. U uroj suksese.


Së fundmi, në moshën 48-vjeçare iu rikthyet sërish futbollit në Kategorinë e Dytë si pjesë e Adës, aty ku jeni edhe trajner. Si erdhi kjo ide?

Unë nuk kam shtuar asnjë kilogram, pasi edhe tani kam të njëjtën peshë që kur luaja si profesionist. Jam stërvitur këtë periudhë me djemtë çdo ditë. Duke parë që ekipi ishte i cunguar në organikë dhe faktin që lojtarët besonin se mund të jepja edhe unë kontribut, thashë po e provoj të rris sadopak besimin në ekip. Falënderoj Zotin që më dha forcë të përballoj me sukses këto ndeshje. Sa të mundem do ta provoj përsëri.