Futbolli i moshave në Shkodër e rrethina tashmë ka një realitet të ri sepse përpos emrave tradicionalë, kanë hyrë në treg edhe emra të rinj. Njëri ndër to që po mundohet të thotë fjalën e tij ashtu si duhet, është edhe FC Basania.

E krijuar në Bushat të Bashkisë Vau Dejës, ky klub ka aktualisht po mundohet të ndërtojë një Akademi të mirëfilltë me të gjitha grupmoshat ndërkohë që në të ardhmen ka të tjera plane që në fakt i bën të ditura në një intervistë për “Shkodra Sport” vetë presidenti i tij Ermir Shimaj.

“Aktualisht kjo Akademi ka 4 ekipe grupmoshash dhe pikërisht U11, U13, U15 dhe U17 dhe brenda pak ditësh do të konkretizojmë edhe krijimin e ekipit U9 dhe në të ardhmen presim të hedhim edhe të tjerë hapa të rëndësishëm në ecurinë tonë.

FC Basania është e vetmja Akademi në Shkodër dhe pse jo edhe në Shqipëri, ku asnjë fëmijë i rregjistruar në të, nuk paguan asnjë tarifë financiare për trajnimin por edhe për shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me stërvitjen, bazën materiale etj. E kemi bërë këtë që asnjë fëmijë të mos privohet nga ndjekja e ëndrrës së tij për t’u bërë futbollist”- ka thënë ai fillimisht..

Të ndërtosh një Akademi të tillë ku asnjë fëmijë nuk paguan asnjë tarifë sigurisht që është diçka vërtetë interesante, por kuptohet që ka edhe pasiguri për vazhdimësinë. Por presidenti Shimaj në prononcimin e tij shpjegon mënyrën si funksionon FC Basania kur thotë:

“FC Basania është derivat i një shoqate, i një OJF-je që ne kemi krijuar më herët dhe kemi eksperiencë në funksionimin e punëve me vullnetarizëm, shto këtu edhe donacione që na kanë dhënë. Jetojmë në një zonë ku banorët e saj janë sportdashës dhe na kanë ndihmuar e mbështetur.

E kanë mirëpritur këtë zhvillim dhe besoj se do ia dalim që t’i gëzojmë fëmijët e ato të mos privohen nga ndjekja e ëndrrës së tyre. A do të ketë jetëgjatësi? Ne si staf nismëtar i këtij klubi na shqetëson vetëm një fakt: Nuk e dimë si do ta bëjmë të mundur 100 vjetorin e tij”.

I pyetur se cili do të jetë objektivi i rradhës i FC Basania, presidenti Shimaj do të përgjigjej:
“Objektivi i rradhës për Akademinë tonë është ngritja dhe pjesmarrja në kampionat sezonin e ardhshëm edhe me ekipin e 19 vjeçarëve, ndërkohë që po punojmë fort për t’u prezantuar edhe me ekipin e të rriturve, mbase edhe me të që në sezonin e ardhshëm”.

Por për më shumë në lidhje me prononcimin e presidentit të këtij klubi, mund të ndiqni intervistën e mëposhtme të tij dhënë për gazetën “Shkodra Sport”: