Është lajmëruar tashmë që presidenti i Republikës z. Bamir Topi do jetë pasditen e sotme në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës për të ndjekur ndeshjen Vllaznia- Tirana. Presidenti Topi njihet si një tifoz i zjarrtë i skuadrës bardheblu dhe ka shfrytëzuar ndeshjen e sotme për të ndarë edhe disa tituj për figura të shquara të sportit dhe artit shkodran. Por pyetja që lind është kjo: Kush do jetë në krah të tij në tribunën e stadiumit sot? Kjo ka një dilemë të madhe brenda sepse në lojë ka hyrë edhe politika.

Presidenti po sulmohet nga kryeministri por edhe kryetarja e Parlamentit kohët e fundit dhe në Shkodër janë palë me këta dy të fundit. Topi rrjedhimisht shihet si “armik” edhe nga krerët e pushtetit lokal në Shkodër. Këta të fundit ndërkohë janë edhe drejtuesit aktualë të Vllaznisë dhe rrjedhimisht ata e kanë vendin në qendër të tribunës, aty përkrah Presidentit Topi. Kryebashkiaku Luka për fatin e tij të mirë ndodhet në Itali dhe nuk do jetë prezent në stadium sot duke i hequr vetes mundësinë për të qenë në një siklet të tillë. Dje në zyrat e Bashkisë Shkodër ka patur një dilemë të tillë se kush do ta presë Presidentin dhe kush do ulet përkrah tij. Të tjerë, kanë dyshuar ardhjen e tij në një ndeshje të tillë kur ai asnjëherë më parë nuk ka ndjekur një ndeshje të Tiranës në “Loro Boriçi”. Përpos këtyre, edhe në ceremoninë që do të zhvillohet në hotel “Colosseu” pasdite në orën 18.30, me siguri që z. Topi nuk do ketë përkrah asnjë nga pushtetarët lokalë të Shkodrës dhe kjo nuk është normale megjithatë për fatin e keq, edhe sporti po ndikohet nga politika dhe kjo nuk është aspak normale.