Ndërprerja e kampionateve të basketbollit ka ardhur në momentin më të mirë të Vllaznisë dhe padiskutim që kjo ndikoi për keq. Megjithatë presidenti i saj Alban Xhaferi mendon se kjo nuk ishte në dorën e askujt, pikërisht për shkak të situatës së krijuar. Një deklaratë të tillë ai e ka bërë në një prononcim për RTSH Sport kur është shprehur:

“Ndërprerja erdhi në një moment aspak të përshtatshëm për ne. Kjo ngaqë Vllaznia po kalonte momente shumë të mira dhe ishin bërë të gjitha përgatitjet që skuadra të konkurronte denjësisht si në kampionatin shqiptar dhe po ashtu edhe në Ligën Ballkanike ku arritëm të kemi fitore me të gjitha skuadrat pjesmarrëse, çka ishte një risi për basketbollin shkodran dhe atë shqiptar.

Por fati ynë i keq dhe ne jemi të detyruar t’i nënshtroheni një situate të tillë të krijuar tashmë dhe jo vetëm në vendin tonë por në mbarë botën. Menjëherë pasi filloi gjendja e jashtëzakonshme, ne morëm masat tona duke qenë se prioritet në këto momente ka shëndeti dhe siguria e lojtarëve. Prandaj dhe u kemi siguruar udhëtimin për t’u kthyer në vendet e tyre”- është shprehur presidenti Xhaferi.

Një ndërprerje e tillë e kampionatit sigurisht që ka shkaktuar edhe pasoja financiare për ekipet dhe për këtë arsye, numri 1 i basketbollit shkodran pret mbështetje nga Qeveria e për këtë thotë:

“Duke qenë se Vllaznia kishte numrin më të madh të lojtarëve të huaj, për shkak se kishim ndërtuar një ekip kompetitiv, kuptohet që shpenzimet financiare kanë qenë të mëdha. Për këtë arsye, do t’i bëja thirrje Qeverisë shqiptare që të hidhte sytë edhe nga sporti për të bërë një subvencion edhe për të sepse në këtë situatë të jashtëzakonshme do të ketë edhe ai një krizë shumë të fortë”- shton më tej Xhaferi.

I pyetur ndërkohë në lidhje me të ardhmen e Vllaznisë, ai ka deklaruar: “Së pari lusim Zotin që një situatë e tillë të kalojë sa më shpejt dhe pastaj natyrisht do të bëjmë planet edhe për të ardhmen”.
© shkodrasport.com