Vllaznia fitoi me rezultatin 2-1 ndaj Kukësit, sfidën përmbyllëse të javës së 33-të në Abissnet Superiore. Ky rezultat i jep shkodranëve vendin e tretë tre ndeshje para fundit, që të çon në përballjet europiane. Për këtë në Shkodër gëzojnë sepse nuk duhet të presin finalen e Kupës së Shqipërisë me Laçin.
I ftuar në emisionin Procesi Sportiv foli Presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi, i cili tregoi se objektivin parësor Vllaznia e ka humbur dhe për këtë kanë ndikuar disa faktorë, një prej tyre arbitrimi. Ndër të tjera ai e la të hapur çështjen e trajneri Plori, duke thënë se gjithçka varet nga objektivat e mbetur.
“Kemi kuptuar shumë nga kjo lojë. Jemi munduar shumë. Nuk kemi arritur atë objektivin parësor që i përcaktuam vetes. Ky është futbolli. Duhet ta theksoj që kemi pasur dhe dëmtime nga arbitrat.
Mungesa e finalizimit. Janë shumë faktorë që ndikojnë. Mendoj se Vllaznia e meriton këtë moment. Fitimi i Kupës do ishte një objektiv që duhet ta arrijmë të gjithë së bashku.
Duhet të përmirësohet VAR. Abitrat të konsultohen me VAR dhe VAR të konsultohet me arbitrat. Për sezonin tjetër ka shumë punë.
Ne po mendojmë të mbyllim objektivat tonë dhe normalisht që do ketë gjëra të mira në vazhdim. Për vazhdimin e trajnerit aktual(Plori), nuk po ecim me përqindje, por me objektiva”, ishte një pjesë nga fjala e Presidentit të Vllaznisë Alban Xhaferi.