Federata Shqiptare e Futbollit po bëhet gati të organizojë një tjetër turne europian të UEFA-s, jo i pari për këtë vit. Pas organizimit të suksesshëm të turneut ‘UEFA Development’ për moshën U-15 për vajza pak ditë më parë, FSHF do të organizojë të njëjtin turne për djemtë e moshës U-15 në datat 29 tetor – 4 nëntor.

Një turne zhvillimor që i jep mundësinë kuqezinjve të vegjël të masin forcat me bashkëmoshatarët e tyre. UEFA ka vendosur që ky turne të zhvillohet në vendin tonë, teksa veç Shqipërisë U-15 do të marrin pjesë edhe Hungaria, Kosova e Maqedonia e Veriut. Jo vetëm sfidat e turneut, por edhe seancat stërvitore të të gjitha ekipeve do të zhvillohen në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në Tiranë në datat 30 tetor, 1 dhe 4 nëntor.

Shqipëria U-15, e drejtuar nga trajneri Armand Dama do të nisë grumbullimin më 27 tetor në kryeqytet, ku kuqezinjtë e vegjël do të zhvillojnë edhe seancat stërvitore në prag të këtij turneu të rëndësishëm e zhvillimor për këtë grupmoshë.

Pjesë e kombëtares tonë në këto ndeshje do të jetë edhe futbollisti shkodran që luan për Fiorentinën Majkol Luka. Ftesa përkatëse tashmë ka mbërritur në klubin italian dhe ata do ta lënë të lirë për periudhën në fjalë.

14 vjeçari që ka lindur në Itali por është me origjinë nga Shkodra gjithmonë ka ëndërruar që një ditë të veshë fanellën kuqezi dhe tashmë kjo ëndërr i është bërë realitet. Majkol Luka luan në rolin e qendërsulmuesit dhe pritet të jetë i rëndësishëm për kombëtaren që drejtohet nga trajneri Dama.
Gjergj KOLA