Azdren Llullaku ka kaluar muajin e fundit në pritje të një ftese për t’u kthyer në kombëtare, ku mungonte që prej nëntorit të vitit të kaluar.

Por sulmuesi i cili është ndër ata të cilët po luajnë më rregullisht me skuadrat përkatëse, përsëri mbeti jashtë listës së Kristian Panuçit, një zhgënjim i madh, siç ka pranuar edhe vetë ai në një  prononcim për “VipSport”.

“Normalisht e prisja një ftesë, sepse po bëj një kampionat të mirë. Po luaj ndeshje pas ndeshje. Por duhet të respektoj zgjedhjet e trajnerit dhe të bëj edhe më mirë këtu derisa të ndërrojë mendimin.

Këtë herë kisha shumë shpresa që të isha pjesë e kombëtares. Por siç e thashë e pranoj dhe shpresoj të bëhen 2 ndeshje sa më të mira nga kombëtarja dhe më e rëndësishmja është të fitojmë ndaj Izraelit”, shprehet futbollisti i cili vë ekipin kombëtar mbi të gjitha.

Lllullaku nuk ka një shpjegim nga ana e stafit teknik për arsyen se pse është lënë jashtë grumbullimeve të kombëtares që prej ndeshjes kundër Turqisë në nëntorin e vitit të kaluar dhe ia faturon ndoshta edhe pa të drejtë vetes fajin.

“Unë kam qenë gjithmonë profesionist dhe jam sjellë gjithmonë si duhet. Mendoj se bëhet fjalë për zgjedhje taktike. Mendoj se ka pritur më shumë prej meje në ato momente kur kam qenë në kombëtare, kështu që fajtori numër 1 jam unë”, thekson futbollisti i përfaqësues.

Por çfarë duhet të bëjë më shumë ai që të thirret në kombëtare? “Më shumë gola mendoj! Se minuta dhe lojë të mirë po e bëj edhe tani”, është përgjigja e sinqertë e Llullakut të cilit nuk i mbetet veçse të vazhdojë të ndihmojë klubin e Astra të qëndrojë në garë për titullin kampion në Rumani, ku aktualisht mban vendin e dytë në renditje. /vipsport/