Djali ‘famëkeq’ është rikthyer në Itali. Mario Baloteli pas disa eksperiencave në Francë, ku ekipi i fundit ishte Marseja, vendosi këtë sezon të jetë sërish pjesë e Serisë A. Më parë sulmuesi është aktivizuar me fanellën e Interit dhe Milanit, ndërsa tashmë do të mbrojë ngjyrat e Breshias.

Por, edhe pse janë zhvilluar katër javë deri më tani, Baloteli ende nuk ka debutuar. Kjo për shkak të një pezullimi që e ka marrë në fundin e sezonit të kaluar kur ishte në Francë. Megjithatë, këtë mesjavë, ‘SuperMario’ me shumë mundësi do të luajë për disa minuta kundër Juventusit. Futbollisti është shprehur se është në dispozicion të skuadrës, ndërsa theksoi se asnjëherë më parë nuk ishte stërvitur kaq shumë në karrierë.

“ Jam stërvitur më shumë në këtë periudhë sesa gjatë gjithë jetës sime. Jam gati, kam luajtur vetëm dy miqësore dhe e di që nuk kam 90 minuta në këmbë, por jam në dispozicion. Emocione për sfidën ndaj Ronaldos? Jo, portugezi është një kampion, por unë duhet të mendoj vetëm për skuadrën time. Për momentin nuk mendoj as Kombëtaren, duhet vetëm të jap maksimumin këtu me Breshian”, u shpreh Baloteli.