Mediat turke e kishin bërë fakt të kryer gjatë kësaj jave që Endri Çekiçi do të firmoste këto ditë për klubin e Rizespor në Superligën Turke.
Trajneri Ilhan Pulut e kishte drejtuar mesfushorin e kombëtares shqiptare te Koniaspor dhe meqë futbollisti është lojtar i lirë, shihej si një përforcim i rëndësishëm dhe pa kosto për këtë klub.
Por përkundrejt asaj që mendohej, vetë Pulut ka bërë të qartë se nuk ka në plane të afrojë Çekiçin në radhët e klubit të tij. “Emrat e Gujerme dhe Çekiçit nga ish-skuadra ime, Koniaspor, nuk kanë qenë asnjëherë në axhendën tonë.
Emrat e tyre mund të kenë dalë në media. Një prej tyre është futbollist ende nën kontratë me Koniaspor, ndërsa tjetri nuk ka qenë asnjëherë në planet tona”, tha Pulut për mediat turke.
Kësisoj, për Çekiçin vazhdon të jetë ende mister e ardhmja, pasi mesfushori nuk ka gjetur sistemim për sezonin e ri, edhe pse është shumë pranë fillimit.