Juventusi, e cila është vënë në qendër të vëmendjes së botës së futbollit, së bashku me 11 skuadrat e tjera që krijuan Super Ligën, por plani i tyre dështoi, dje kishte fituar hapësirë edhe në radhët e të përditshmes “Bild”, për një tjetër çështje, e cila është pak ta quash bombastike.

Sipas prestigjiozes gjermane, ndër ata që po monitorojnë me kujdes situatën e Hansi Flikut me Bajernin e Mynihut është edhe Juventusi.

Bardhezinjtë nuk është se kanë mbetur shumë të kënaqur nga sezoni i parë që Andrea Pirlo ka bërë në stolin torinez, ndaj nëse do të ekzistonte mundësia për të bërë të tyrin kampionin e Gjermanisë, të Europës dhe të botës, do të hidheshin menjëherë në sulm.

Sigurisht që për të arritur te Fliku, i cili duket mbi të gjitha i projektuar për të marrë drejtimin e kombëtares gjermane, nuk është një lojë fëmijësh, përkundrazi… Por ndoshta ky lajm, më shumë sesa raporton për një dëshirë të Juves, duket se nënvizon që Andrea Pirlo vështirë se do të konfirmohet në stolin e “Zonjës së Vjetër” edhe sezonin e ardhshëm.