Tiranës i shtohet një tjetër problem për çështjen e merkatos së bllokuar.Nëse deri në 31 janar të këtij viti ishin dy lojtarët, të cilët kishin bllokuar afrimet te bardheblutë dhe për rrjedhojë Tirana nuk regjistroi asnjë të afruar, këtë mars lojtarët janë bërë tre. Në sistemin e menaxhimit të merkatos së klubeve që kanë detyrime, “Panorama Sport” ka zbuluar se janë tre lojtarë që kanë bllokuar Tiranën.
Regjistrimi i fundit është kryer më 21 shkurt. Edhe pse nuk ka emër se cilit lojtar i takon ky bllokim, burime bëjnë fjalë për Kristian Toshevskin, ndonëse e pakonfirmuar. Lojtari u largua në verë. Dy lojtarët e tjerë janë Tim Vairinen dhe një lojtar tjetër nga Maqedonia e Veriut.
Tirana duhet të paguajë edhe Asion Dajën dhe Edon Hasanin. Për koincidencë Tirana nuk afronte një lojtar në merkaton e janarit 2017-ën e largët. Dhe atëherë merkatoja e afrimeve ishte e bllokuar si këtë vit për shkak të mospagimit të një futbollisti.
Skuadra bardheblu atë sezon ra nga kategoria, ndonëse fitoi Kupën e Shqipërisë. Gjithsesi, këtë kampionat Tirana ka më shumë pikë. Fakt është që Fagu dhe bardheblutë, duhet t’i shkojnë deri në fund aventurës së tyre si në Kupë dhe në Superiore me lojtarët aktualë. Skuadrës i janë larguar deri tani Hasani, Hila, Kaina, Doka, Qefalija, Ballhysa.