Nga Endri ÇINARI
Një problem më vete dhe që nuk po gjen zgjidhje tek Vllaznia ende gjatë këtij sezoni është ndëshkimi me kartona të shumtë i futbollistëve kuqeblu. Skuadra shkodrane është një ndër ekipet më të ndëshkuara të elitës së futbollit tonë, duke mos qenë në sinkron me atë çfarë paraqesin 9 herë kampionët e vendit tonë në fushën e lojës. Ku ekipi i drejtuar nga Martini njihet për lojën “fair play” dhe brenda çdo rregulloreje. Me Vllazninë që rrallë herë në futbollin tonë është bërë faktor i skenave jo sportive që dërgojnë edhe në ndëshkimin e futbollistëve.
Por, pavarësisht stilit të futbollit të Vllaznisë, ndëshikmet ndaj futbollistëve kuqeblu këtë edicion kanë qenë “pa limit”. Nga java në javë thuajse ka pasur çdo herë një futbollist që ka munguar si shkak i marrjes së kartonëve të verdhë. Ku edhe kësaj rradhe mungon Melos Bajrami, kjo pasi mbrojtësi ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë dhe automatikisht nuk do jetë i gatshëm për “klasiken” kundër Tiranës. Ku po ashtu në rast ndëshkimi me karton në duelin ndaj bardhebluve rrezikojnë ndeshjen e fundit të vitit kundër Flamurtarit edhe Bekim Balaj e Elmando Gjini.
Me dyshen e sipër përmendur që ka nga 3 ndëshkime me karton të verdhë aktualisht në Superiore. Kështu për statistikë deri në javën e 16-të të kampionatit, Vllaznia është ndëshkuar me 61 kartonë të verdhë. Me një mesatare prej 3.81 kartonësh për ndeshje, që është shumë për një skuadër që luan për titullin kampion. Teksa shkodranët po ashtu në “dëmin” e tyre kanë edhe 3 kartonë të kuq, 1 karton i kuq i cili ka qenë direkt për Kuros, e dy kartona të verdhë brenda një ndeshjeje që më pas janë shndërruar në të kuq për Gurishten e Gjinin.
Pra, një nervozizëm ndoshta i pakuptuar ky disi i shkodranëve që ndoshta mund të justifikohen në disa raste edhe me gjyqtarët që ndoshta kanë qenë më dorë lëshuar seç duhet. Por, patjetër një problematikë e tillë kërkon një analizë të thellë dhe një zgjidhje në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


