Ralf Rangnik përflitet çdo ditë e më shumë si trajneri i ardhshëm i Milanit. 61-vjeçari do të zbarkojë me rolin e dyfishtë të teknikut dhe drejtorit sportiv, një detyrë që e ka mbuluar në 13 vitet e fundit.
Pas përvojave me Shtutgartit, Hanoverin dhe Shalken, karriera e tij ndryshoi në vitin 2006 kur Ditmar Hop i besoi Hofenhaimin, një klub të cilin brenda katër sezonesh e ngjiti nga nivelet amatore në Bundesligë. Pesë vite sukses bënë që Shalke të pendohej e ta rikthente në bazë ku arritjet më të mëdha ishin një Kupë e Gjermanisë dhe gjysmëfinalet e Champions-it në 2010-’11 sezon kur në çerekfinale mundën Interin.
Pas një viti pushim për shkak problemeve nervore, në 2012 Rangnik rishfaqet me rolin e dyfishtë të drejtorit sportiv për Salcburgun dhe Lajpcigun. Më këtë të fundit ndërton një kryevepër të vërtetë futbollistike dhe në sezonin 2015- ’16 emërohet trajner i ekipit. Loja e tij karakterizohet nga mbajtja e topit, pasime e shkurtra dhe agresiviteti, çka dhuron një futboll të bukur për panoramën e futbollit gjerman që e pagëzon si “Profesori”.
I frymëzuar nga Mauricio Sarri, në 2018 Rangik tërhiqet nga detyra të cilën ia beson Julen Nagelsmanit, një djalosh 30-vjeçar që po habit Gjermaninë me idetë dhe karizmën e tij.
KOMPETENCA – Prej dy sezonesh, Rangnik punon për llogari të “Red Bull” duke menaxhuar skuadrat e kësaj kompanie në SHBA dhe Brazil. Pa hequr dorë nga lidhjet me Salcburgun dhe Lajpcigun, 61-vjeçari konfirmohet edhe një zbulues i jashtëzakonshëm talentesh.
Lojtarë si Hëvedes, Kimish, Mane, Nabi Keita, Verner, Forsberg, Upamekano, Jusuf Pulsen apo Haland janë të gjithë fryt i punës së tij. Është pikërisht mënyra e tij e punës që ka joshur Milanin, e veçanërisht Henrik Almshtadin, krahu i djathtë i Ivan Gazidhisit.
Gjerman si Rangnik, ai kërkon një “ekip” ndërkombëtar pune për të ringritur kuqezinjtë nëpërmjet talenteve me kosto të ulët. Rangnik duket gati për aventurën e re, aq sa burime pranë tij konfirmojnë se ka nisur të studiojë italishten që të jetë sa më i gatshëm në momentin kur thirrja kuqezi të bëhet zyrtare. Ai po përgatit edhe një grup bashkëpunëtorësh me të cilët do të ndajë përvojën e re.