Bashkia e Koplikut duket se ka një projekt vërtetë impresionues për ndërtimin e një stadiumi në Malësinë e Madhe. Këtë projekt e ka konfirmuar trajneri i Veleçikut, Dritan Smajli, në një intervistë për TV Kopliku, pas një mbledhjeje me kryetarin e Bashkisë, Tonin Marinaj.

Në fjalët e tij, trajneri Smajli theksoi se përmes këtij projekti, synohet që Veleçiku të ketë stadiumin e vet dhe më pas, të pretendojë seriozisht ngjitjen në Kategorinë e Parë. Poashtu, Smajli u shpreh se objektivi i Veleçikut nuk ndryshon këtë sezon, por theksoi se ka pritur më shumë nga skuadra e tij.

“Objektivi i Veleçikut nuk ndryshon. Në fakt, kuptohet që na janë larguar gjashtë futbollistë që nuk do të jenë pjesë e Veleçikut, por kjo nuk do të thotë që ndryshon objektivi. Ne aty jemi, nuk jemi me pikë larg.

Unë realisht kam pritur më shumë nga skuadra, por nganjëherë mund të zhvillosh ndeshje shumë të mira, por rezultati nuk vjen, siç na ka ndodhur shpesh. Megjithatë, të jeni të sigurtë se Veleçiku do të japë maksimumin për të arritur objektivin.

Unë kam thënë që nuk bëhet nami edhe nëse nuk ngjitemi këtë vit në Kategorinë e Parë, sepse duhet të kuptojmë edhe diçka tjetër që mund të ngjitemi në Kategorinë e Parë, por sportdashësit nuk kanë se ku ta shohin Veleçikun.

Pra, duhet të marrim rrugat dhe kam zhvilluar një mbledhje me kryetarin Marinaj, ku besoj se shumë shpejt mund të fillojnë edhe punimet për të ndërtuar po themi një mini-stadium, sepse Malësia e Madhe e meriton.

Kam besimin e plotë që stadiumi do të ndërtohet, pasi projekti është gati. Pra, nuk bëhet nami nëse Veleçiku nuk ngjitet këtë vit. Më me interes është që Veleçiku të ketë gati stadiumin dhe pastaj, të tentojmë të ngjitemi, sepse çfarë interesi ka të ngjitemi në Kategorinë e Parë dhe të shkojmë të luajmë në Lezhë. Pra, nuk e kemi publikun pranë. Publiku do të na shohë këtu dhe kjo është shumë e rëndësishme besoj.

Shiko, unë jam nga ata njerëz që flas drejtë dhe të jeni të sigurtë që kur them se stadiumi do ndërtohet, do ndërtohet dhe për këtë të jeni të bindur. Prandaj, flas me siguri, duke njohur edhe kryetarin, sepse ne kemi lidhje të tjera.

Kështu që, mbledhja nuk është bërë kot, kuptohet që kemi nxjerrë edhe konkluzionet çfarë ka shkuar dhe çfarë nuk ka shkuar, por primare unë e shoh stadiumin që besoj fort se do të ndërtohet patjetër. Për këtë të jeni të sigurtë, sepse Malësia e Madhe e meriton dhe do të ndërtohet. Kjo është e sigurtë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Veleçikut, Dritan Smajli.
Maringlen ZHIVANI