Dukej si një thashethem i merkatos por po kthehet gjithnjë e më shumë në një marrëveshje mëse të realizueshme. Interi dhe Barcelona po diskutojnë, për momentin nëpërmjet palëve të treta, për një shkëmbim të bujshëm mes Marcelo Brozoviç dhe Frank Kesi.
Ish-mesfushori i Milanit nuk ka bindur te katalanasit ku u transferua në verë dhe tani kërkon që të kthehet në një kampionat ku ishte një yll i padiskutueshëm. Me sa duket, ai nuk ka probleme që nga Milani të transferohet te Interi brenda pak muajsh dhe është i hapur ndaj një eksperience të re te rivalët historikë të kuqezinjve.
Edhe Interin e tërheq ideja dhe sipas “La Repubblica”, zikaltrit janë gati të pranojnë idenë e Barceloës për një shkëmbim me Marcelo Brozoviç. Megjithatë, raportohet se ata nuk i shohin futbollistët si të barabartë në vlerë ndaj i kanë kërkuar Barcelonës që të paguajë edhe një shumë parash.
Nuk dihet ende në këtë pikë se cili është vendimi i katalanasve, nëse do të shtyjnë drejt bisedave konkrete për të mbyllur që në janar një marrëveshje të mundshme, apo do të presin verën për të diskutuar me qetësi këtë shkëmbim.