Mund të konsiderohet surprizë oferta e djeshme e “Joni 5” shpk në ankandin për shitjen e aksioneve të KF Vllaznia sh.a. Emiliano Zhupa, i datëlindjes 14 prill 1992, ofroi në fazën e parë një shumë të përafërt me 1.3 milion euro për marrjen e pronësisë së Vllaznisë.

Dy kompanitë e tjera, të përfaqësuara nga Alban Xhaferi dhe Almiro Gurakuqi, në këtë fazë ofruan më pak se gjysmën e shumës së mësipërme.

Po kush është Emiliano Zhupa, cilat janë bizneset e tij zyrtare apo të deklaruara në QKB? 29 vjeçari është lindur në Tepelenë dhe jeton në zonën e Kombinatit në Tiranë. Kompania e tij “Joni 5” shpk është relativisht e re, e krijuar në vitin 2017, me një kapital fillestar 100.000 lekë.

Objekti i veprimtarisë së kësaj kompanie, siç tregojnë dokumentet e siguruara nga ShkodraWeb, ka ardhur duke u zgjeruar nga viti në vit dhe sot, mund të thuhet se “Joni 5” shpk, mund të kryej praktikisht çdo lloj biznesi.

Lidhur me situatën financiare, kjo kompani mund të konsiderohet modeste. Ajo që vihet re, por është e vështirë të verifikohet përmes deklarimeve në QKB, është një kompleks në Vuno, Jalë, i quajtur “Soleil”, vlera monetare e të cilit nuk identifikohet.

Ajo që konstatohet tjetër, është bashkëpunimi me një bankë të nivelit të dytë. Kompania “Joni 5” shpk ka marrë overdrafte dhe kredi afatgjata, duke lënë si barrë/kolateral pasuritë e luajtshme të kompanisë./shkodraweb/