Ditën e djeshme, Veleçiku mposhti Klosin 0-2 dhe kështu ka shanse të mëdha për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Që prej themelimit kjo skuadër në bazë ka pasur gjithnjë shkodranë, prandaj as këtë sezon nuk mund të ndodhte ndryshe.

Skuadra që drejtohet nga Haris Lika, ka në organikë emra si Arenc Dibra, Izmir Balaj, Besard Çokaj, Elvis Rrustemaj dhe Arsen Hajdari. Ky i fundit arriti që dje të realizojë një gol në ndeshjen ndaj Klosit, teksa nuk e mohon dëshirën e tij për ta çuar Veleçikun në mes ekipeve të Kategorisë së Parë.

Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, sulmuesi me përvojë beson se se do ia arrijnë qëllimit për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, teksa shprehet se mundësia ekziston deri në fund, duke parë edhe grupin e lojtarëve që janë në skuadër.

“Tashmë dihet që jam një lojtar me eksperiencë dhe ka të bëjë shumë në këtë kategori kur ke eksperiencën. Normalisht, jam i kënaqur si për golin ashtu edhe për fitoren.

Ne jemi një skuadër e ndërtuar me djem të ri dhe me djem me eksperiencë që e njohin mirë këtë kategori. Objektivi është për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, duke parë edhe ecurinë e ekipit me lojtarët që ka edhe mbështetjen e klubit.

Eshtë pak herët që të flasim se edhe ekipet janë aty-aty me pikë afër pa ndonjë diferencë, por them se do ia arrijmë. Duke parë edhe strukturën që ka kjo kategori, që ta jep mundësinë edhe në qoftë se je në pesë vendet e para, me play-off, ke mundësinë prapë për t’u ngjitur.

Po tani në Superiore dhe në Kategorinë e Parë e dhashë atë kontributin tim sado të vogël. Tashmë, pse jo edhe në Kategorinë e Dytë, sa të kem mundësi që edhe Veleçiku të jetë aty ku i takon, në Kategorinë e Parë.

Sa i përket sezonit të parë në Kategorinë e Dytë, është një kampionat i egër, por avash-avash po përmirësohet me kualitete. Them se shumë shpejt ka për të shkuar në nivele më të larta”,-thotë ai.

Ndër të tjera, Hajdari flet edhe për tifozërinë e Veleçikut, teksa në fund ka edhe një dedikim për golin e shënuar nga ana e tij.

“Sigurisht që, tifozët e Veleçikut janë të rëndësishëm në këtë kategori ku ne jemi. Me mbështetjen e tyrë në çdo ndeshje na e bëjnë më të lehtë fitoren, sidomos në fushën tonë. Personalisht, i falënderoj me mbështetjen që na japin.

Për çdo gol që shënoj ia dedikoj familjes time për mbështetjen që më jep gjithmonë. Sa për objektivin që kemi si skuadër, shpresoj që të arrijmë siç e thashë edhe më parë që është herët për të folur, sepse ka edhe gjysmë kampionatit”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Veleçikut, Arsen Hajdari.
Maringlen ZHIVANI