Markelian Guri është një ndër futbollistët titullar më punëtor të Vllaznisë U-17. Një djalosh me plot të dhëna teknike, fizike dhe taktike, por edhe me një edukatë model, në fushë dhe jashtë saj.

Falë këtyre vlerave pozitive, stafi teknik i besoi Gurit vendin e titullarit në formacion, në të gjitha ndeshjet e kampionatit, duke marrë minutazh të plotë. Megjithatë, një dyluftim me kundërshtarin në ndeshjen gjysëmfinale të Kupës, bëri që gjyqtari të ndëshkonte të dy futbollistët me karton të kuq.

Karton që drejtuesit kuqeblu e kundërshtuan, pasi futbollisti shkodran, Guri nuk kishte peshën e fajit për ta ndëshkuar. Kështu që, humbja e finales për Markelian Gurin, ishte një keqardhje jo vetëm për të, por edhe për tërë shokët e skuadrës, trajnerin Edmond Doçi dhe drejtuesit e klubit.

Pikërisht, kjo ishte arsyeja, që në ceremoninë e mbylljes, me propozim të drejtorit teknik të Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, të gjithë së bashku në kampin e kuqebluve të U-17, vendosën që shiriti i kapitenit të shkonte për Markelian Gurin, duke i dhënë mundësinë atij të merrte në dorëzim trofeun e Kupës së Shqipërisë. Një gjest ky, që me të vërtetë duhet vlerësuar dhe përgëzuar, duke treguar se Vllaznia funksionon si një familje.

Ndërkohë, në një intervistë për “Shkodra Sport”, Guri u shpreh se ishte një vlerësim i madh për të një gjë e tillë, ndërsa theksoi se ishte një ndër sezonet më të suksesshme për të.

“Ishte një ndër sezonet më të suksesshme, si për mua, poashtu edhe për ekipin e Vllaznisë. Shumë i lumtur për arritjen e fitimit të të dy trofeve. Jemi një skuadër e mirë, një staf i mirë, të cilët punuan të gjithë për arritjen tona si futbollistë profesionist.

Gradimi im si kapiten në ceremoninë e Kupës? Patjetër që jam shumë i lumtur. Ishte një veprim shumë i bukur dhe jam shumë falënderues ndaj drejtorit sportiv, profesor Alban Hasanit, trajnerëve Doçi dhe Zmijani, stafit teknik dhe poashtu të gjithë futbollistëve që e mirëpritën këtë gjest. Pamundësia ime për të qenë pjesë e ekipit në ndeshjen finale të Kupës dhe kampionatit, sigurisht më mërziti shumë, por dhurata që m’u bë në finalen e fundit, tregoi se si është Vllaznia e vërtetë. Një familje, ku të gjithë mbështesim njëri-tjetrin në çdo hap dhe moment.

Për mua, ka qenë një ndër vitet ose mund të them viti më i mirë në karrierën time sportive, duke marrë 90-minutat e plota në çdo ndeshje, duke assistuar dhe shënuar poashtu në ndeshje të ndryshme. Për sa i përket të ardhmes time, sigurisht do të shpresoja të luaja me ekipin e parë të Vllaznisë. Ky ka qenë synimi që në startin e karrierës time. Poashtu, shpresoj që të luaj edhe me skuadra të mëdha jashtë vendit, pse jo.

Dedikim? Patjetër që po, kam. Ashtu siç e thashë edhe më sipër, jam shumë mirënjohës për dhuratën që m’u bë. Jam shumë falenderues ndaj drejtorit sportiv Alban Nezirit, trajnerëve Doçi dhe Zmijani, stafit të ekipit U-17 dhe po ashtu të gjithë futbollistëve të tjerë, që e mirëpritën, në veçanti kapitenit Aron Jukaj, i cili më dorëzoi shiritin. Falënderimi tjetër i shkon babait tim, i cili më ka mbështetur në çdo hap gjatë rrugëtimit tim sportiv, që nga starti dhe deri tani”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Vllaznia U-17, Markelian Guri.
Maringlen ZHIVANI