Nga Endri ÇINARI

Një barazim dramatik në shifrat 2-2 arriti Basania ditën e sotme në kuadër të javës së 4-ët të Kategorisë së Dytë ndaj Adriatikut. Ku bushatasit arritën të merrnin 1 pikë falë një goli të Albert Miles në sekondat e fundit të ndeshjes.

Në fakt sulmuesi ishte protagonisti absolut i takimit me një dy golësh dhe për “Shkodra Sport” në prononcim pas ndeshjes, Mila u shpreh i pakënaqur me rezultatin përfundimtar. Ku në fjalët e tij thekson se skuadra duhej t’a fitonte këtë duel dhe për ta këto janë pikë të humbura. Teksa ka besimin se Basania ka aftësinë për të bërë më mirë në ndeshjet e ardhshme.

Mila tha: “Për mua nuk duhet të gëzohemi shumë për këtë pikë, pavarësisht se erdhi në fund dhe kishim një lojtar më pak në fushë. Ne kishim si objektiv vetëm fitoren në këtë ndeshje dhe në të gjitha ndeshjet ku futemi në fushë. Prandaj them se lamë dy pikë sot dhe nuk fituam një, duhet të përmirësojmë shumë gjëra për të arritur aty ku duam dhe kemi objektiv.

Golat? Jam shumë i lumtur, por do isha më i plotësuar po të kishin qenë për 3 pikë, pasi kështu nuk kanë edhe aq vlera. Ia dedikoj vetes sepse vij nga një dëmtim i gjatë dhe këto rrjeta më japin moral për akoma më tepër. Por, unë dua përmirësim si nga vetja dhe nga gjithë skuadra.

Ndeshja e rradhës me Shirokën? Ne shohim veten tonë fillimisht dhe mundësinë për të bërë më mirë. Jam i bindur që do rikuperojmë në ndeshjet e ardhshme sepse i kemi mundësitë dhe aftësitë për t’a bërë. Me Shirokën në fushën tonë nuk na lejohen më gabime dhe mendja shkon që tani aty, për të synuar vetëm 3 pikë”.(www.shkodrasport.com)