Nga Endri ÇINARI
Në Kategorinë e Dytë janë luajtur 2 javë të aktivitetit. Ku duket se gara në këtë ligë do jetë shumë e fortë. Një nga ekipet që pretendon ngjitjen është edhe Tërbuni.
Në prag të sfidës me kryesuesit e Valbonës, për “Shkodra Sport” ka folur Vildan Kaçubela. Sulmuesi i pukjanëve ka besim tek një rezultat pozitiv dhe udhëtojnë në transfertë për pikë.
Kaçubela tha: “Jemi në një moment të mirë në këtë fillim edicioni. E nisëm me një barazim, por kjo fitore e fundit na futi në rrugën e duhur. Ky është një ekip me kualitet, me djemë me dëshirë që duan të bëjnë mirë. Patjetër që objektiv i të gjithë këtu është ngjitja në Kategorinë e Parë.
Ne stërvitemi çdo ditë, me në krye trajnerin Xhahysa dhe me mbështetjen e plotë të drejtuesve. Po ashtu ky ekip nuk e meriton të jetë në këtë kategori.
Valbona ? Është e vërtetë që shkojmë në transfertë me kryesuesit dhe një ekip të mirë investuar. Por ne kemi shanset tona dhe do i luajmë ato. Patjetër që pretendojmë të marrim pikë në ndeshjen e kësaj fundjave”.