Liga Profesioniste e futbollit është programuar që të startojë së funksionuari në fillim të këtij edicioni futbollistik. Një javë më parë, ky organizim ka bërë një mbledhje të fundit teksa klubet pjesëmarrëse kanë renditur dhe dakordësuar një listë kërkesash që do t’i drejtohen FSHF-së, në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv. Mes tyre, një ndër kërkesat e rëndësishme ka të bëjë me drejtësinë sportive.

“Panorama Sport” mëson edhe kërkesën e klubeve të Kategorisë Superiore: Të ketë një anëtar në çdo komision juridik pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Jo vetëm kaq, por edhe shtrëngim të standardeve për licencimin e klubeve pjesëmarrëse në Superiore.

INSTALIMI

Liga Profesioniste e futbollit po përshkallëzon instalimin e saj në futbollin shqiptar. Hapi i radhës në funksionimin e Ligës është edhe pozicionimi në çdo hallkë të drejtimit të futbollit. Të dhjeta klubet e Superiores kanë listuar, mes kërkesave drejtuar Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, dëshirën për të pasur një anëtar në çdo komision juridik.

komisioni

Në këtë mënyrë, klubet do të kenë një zë në çdo mbledhje ku diskutohet respektimi i kodit sportiv dhe atij të etikës, për shkeljet dhe parregullsitë gjatë garës apo mbi të gjitha, për përcaktimin e standardeve të ndëshkimit për çdokënd për shkelje të ndryshme.

Në të shkuarën, FSHF është akuzuar shpesh nga klubet për ndëshkim me standarde të ndryshme në raste të njëjta shkeljesh dhe me caktimin e një zëri të përbashkët, secili prej klubeve në elitë mund të ndihet i përfaqësuar në mbledhjet ku do të vendosen… gjobat.

LICENCIMI

Për të shmangur licencimin jokorrekt, cenimin e garës dhe problematikën që lind, kërkohet nga vetë Liga një zgjidhje progresive mes kërkesave drejtuar KE-së, janë dy pika të rëndësishme për sa u përket standardeve që do të vendosen për mbarëvajtjen e garës.

1. Në sezonin 2019-2020 të kenë të drejtë për të zhvilluar ndeshje të Kategorisë Superiore vetëm stadiumet që kanë marrë licencë nga UEFA për luajtje aty të ndeshjeve në turin e parë të Kupave të Europës.

2. Në sezonin 2020-2021 të kenë të drejtë të regjistrohen në Kategorinë Superiore vetëm ato klube që kanë licencën për të luajtur në Kupat e Europës, si dhe kanë kontratë me një stadium të licencuar për zhvillimin e ndeshjeve në turet e para në kompeticionet e UEFA-s.

KËRKESAT E LIGËS PROFESIONISTE

1. Anëtar në çdo komision juridik.

2. Rritja e numrit të të huajve në pesë që të aktivizohen në ndeshje.

3. Të rritet shpërblimi për fituesin, duke u miratuar këtë vit.

4. Të zbatohet një sistem i ri shpërblimesh për të nxitur garën dhe për të ruajtur integritetin e saj deri në fund. Skuadrat nga vendi i dytë deri në vendin e tetë të Superiores të meritojnë një shpërblim në fund të kampionatit. Vlerën e shpërblimeve ta përcaktojë renditja.

5. Në sezonin 2019-2020 të kenë të drejtë për të zhvilluar ndeshje të Kategorisë Superiore vetëm stadiumet që kanë marrë licencë nga UEFA për luajtje aty të ndeshjeve në turin e parë të Kupave të Europës.

6. Në sezonin 2020-2021 të kenë të drejtë të regjistrohen në Kategorinë Superiore vetëm ato klube që kanë licencën për të luajtur në Kupat e Europës, si dhe kanë kontratë me një stadium të licencuar për zhvillimin e ndeshjeve në turet e para në kompeticionet e UEFA-s.

7. Të rritet vlera e trofeut të Superkupës së Shqipërisë.

8. Superkupa të zhvillohet me dy takime, me sistem vajtje-ardhje. Gjithashtu, emri i trofeut të sponsorizohet dhe një vlerë e caktuar t’i kalojë klubit fitues.

9. Finalja ose dy ndeshjet me sistem vajtje-ardhje në Superkupën e Shqipërisë të zhvillohen në muajt dhjetor ose janar.