Ish- futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë Rudi Vata ka qenë i ftuar sot në emisionin “Studio Sport” në Radio Shkodra me gazetarin Gasper Marku ku ka analizuar edhe fitoren e djeshme të kuqebluve ndaj Partizanit.

“Fitorja e mbrëmshme ndaj Partizanit i ka rritur shpresat dhe i ka shtuar besimin Vllaznisë. Ka qenë një ndeshje delikate, secila prej skuadrave u mundua të luante e kujdesshme në mënyrë që të mos gabonte. Pamë një Vllazni cinike, ndaj një Partizani që nuk gaboi. Gaboi vetëm një herë dhe në atë gabim pësoi një gol që i humbi ndeshjen.

“Vllaznia është një skuadër e mirëorganizuar, nuk ka yje në rradhët e saj, ka lojtarë të përgatitur shumë mirë fizikisht. Ka një trajner shumë kërkues dhe futollistë që i përgjigjen atij. Kjo Vllazni po të jetë e kujdesshme dhe me këmbë në tokë, në mënyrë absolute do të jetë në Kupat e Europës”-është shprehur ai.

I pyetur ndërkohë për çështjen e privatizimit të Vllaznisë, ish- kapiteni i kombëtares shqiptare ka dhënë disa mendime dhe propozime shumë interesante, për përfshirjen e shumë personave në aksionet e klubit, madje edhe të tifozëve.

“Xhaferi e mori skuadrën në pikën më të dobët të Vllaznisë. Ishte ndër ata burra shkodranë që i doli për zot kur ajo ishte në momente tepër kritike. Po e drejton në mënyrën më të mirë të mundshme dhe mendoj se ai e ka të qartë se çfarë po bën dhe ku do të shkojë.

Xhaferi absolutisht që duhet të jetë në listën e njerëzve vendimmarrës, të ketë aksione te klubi Vllaznia. Përsa i përket ish- presidentëve të tjerë si Valter Fushaj, Agron Çela, familja e të ndjerit Myftar Çela, Flamur Hoxha, Xhevdet Amuli etj, unë mendoj se nëse u intereson dhe kanë ambicje, duhet të jenë edhe ata aksionerë të Vllaznisë.

Sa më shumë aksionerë të jenë, sa më shumë kontribues të ketë, aq më mirë do të jetë për Vllazninë. Në bordin drejtues unë mendoj se duhet të jetë edhe një përfaqësues i tifozëve shkodranë. Pse jo, edhe tifozët shkodranë të mos kenë aksionet e tyre, pse të mos kenë edhe ata fjalën e tyre në bordin drejtues të Vllaznisë.

Në klub duhet të ketë sa më shumë njerëz, kuptohet ata që e njohin dhe e dinë si funksionon futbolli dhe nëse ndodh kështu, Vllaznia ka për t’u bërë më e fortë. Në qoftë se qëllimi i gjithë këtyre njerëzve është me e çu Vllazninë në nivele të larta, për me pretendu me dalë kampion dhe me dalë rregullisht në Kupat e Europës, edhe investimi i tyre realisht nuk do të shkojë dëm”- është shprehur Rudi Vata./SHKODRA-SPORT.COM/