Liga e Kampioneve do të ndryshojë formatin e saj në të ardhmen dhe tani një propozim i ri ka përfunduar në tavolinën e drejtuesve të UEFA-s për ta marrë në shqyrtim. Klubet “mesatare” kanë ideuar një plan të tyre për të kundërshtuar “Superligën” që kërkon Juventusi dhe disa nga klubet e mëdha dhe ai në teori mund të sjell benefite edhe për një vend si Shqipëria, duke sjellë disa kundërshtarë më të njohur që në turin e parë eliminator ku merr pjesë fituesja e Kategorisë Superiore.
Kopenhaga, kampione e Danimarkës, e mbështetur edhe nga emra si Ajaksi e Sëlltiku, ka kërkuar që të ndryshojë formati i kualifikueseve edhe emrave të skuadrave që shkojnë direkt në grupet e Ligës së Kampioneve duke marrë për bazë jo kampionatin, por paraqitjen individuale. Kjo do të hiqte praninë e sigurt të skuadrave nga kampionate të caktuara në fazën në grupe, por do t’ua jepte atyre që kanë bërë më mirë në 10 vitet e fundit në arenën ndërkombëtare.
Në fillim të çdo edicioni, skuadrat pjesëmarrëse do të renditeshin nga numri 1, deri në numrin 79 (sa është numri në total i ekipeve që çdo vit fillojnë këtë turne) në bazë të rezultateve të tyre në kompeticionet europiane në 10 sezonet e fundit.
22 skuadrat e fundit do të futeshin në raundin e parë kualifikues, 13 ekipet e tjera në raundin e dytë, më pas shtohen 12 sipas radhës në raundin e tretë dhe 12 në play-off. Vetëm 20 vendet e para do të shkonin direkt në fazën në grupe të turneut.
Nëse një formulë e tillë do të vihej në zbatim, skuadra si Atalanta, apo edhe Lajpcig, do ta shihnin veten në raundet e para kualifikuese, ndërsa Leisteri që duket se ka siguruar vendin e tretë në Angli, do ta niste nga turi i parë kualifikues turneun.
Kjo sigurisht do ta bënte aktivitetin shumë më interesant për vendet e vogla, mes të cilave edhe Shqipëria, të cilat do të shihnin kundërshtarë më cilësore në turet e para nga ligat më të forta në Europë, duke rritur shikueshmërinë e tyre. Ndërkohë, formula do të vlerësonte skuadra si Ajaksi, e cila merr pjesë rregullisht në Champions apo Europa League dhe ka rezultate (aktualisht mban vendin e 21-të në renditjen e UEFA-s), por për shkak të paraqitjes së dobët të ekipeve të tjera holandeze, duhet ta fillojë turneun nga turet kualifikuese.
Megjithatë, pritet që ky propozim të ndeshet me kundërshti të ashpër nga ligat a mëdha, të cilat nuk do të dëshironin të humbnin fitime të sigurta të anëtarëve të tyre që shkojnë direkt në fazën në grupe, edhe pse sistemi i ri do të ishte shumë më interesant dhe do të kishte shpërndarje në të gjithë kontinentin, duke sjellë edhe surpriza në fazën në grupe të tij. /vipsport/