Lamine Yamal nuk është në shitje. Ditët e fundit ka pasur zëra rreth interesimit të PSG për perlën e Barcelonës, por në Katalonjë nuk duan të dëgjojnë nga ky vesh… Sipas asaj që raportoi “Sport”, klubi Blaugrana tashmë i ka bërë të ditur agjentit të tij, Jorge Mendes, se konsiderohet i patransferueshëm.

Super agjenti portugez kishte informuar Barçën për interesimin e PSG-së për sulmuesin e lindur më 2007, por presidenti Laporta e informoi atë se nuk ka ndërmend të ulet për të negociuar.

Madje në Francë flitet për një ofertë prej 200 milionë euro tashmë gati. Jorge Mendes pyeti Barcelonën nëse ishin të interesuar ta shisnin për të zgjidhur edhe problemet financiare të klubit, por Laporta përsëriti pa hezitim mostransferimin e lojtarit.

Barça ka ide shumë të qarta për të ardhmen e Yamal dhe tashmë ka rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2026, me klauzolë largimi një miliard euro. Mësohet se ka edhe më shumë. Gazeta katalanase shkruan se tashmë ka një marrëveshje mes palëve për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2030. Rinovimi i dytë do të zyrtarizohet kur lojtari të mbushë 18 vjeç, pra në verën 2025./telesport/