Një tjetër rekord financiar për Paris Saint Germain. Klubi francez ka raportuar të ardhura rekord prej 837 milionë eurosh për sezonin 2024-2025, duke tejkaluar shifrën e mëparshme prej 806 milionë eurosh dhe duke vendosur një standard të ri ekonomik në futbollin evropian. Sipas raportit zyrtar të publikuar nga klubi, 367 milionë euro janë gjeneruar nga aktivitetet tregtare, ndërsa 175 milionë euro kanë ardhur nga shitjet e biletave.

Stadiumi “Parc des Princes” rezultoi i mbushur plotësisht në 170 ndeshje radhazi, një tregues i jashtëzakonshëm i popullaritetit të skuadrës parisiene. Sezoni 2024-2025 hyri në histori për PSG-në, që fitoi për herë të parë Ligën e Kampioneve, si dhe Ligue 1, Kupën e Francës dhe Trophée des Champions.

Megjithatë, skuadra u ndal në finalen e Kupës së Botës për Klube, duke humbur mundësinë për të kompletuar një “pesëshe të artë”. Në raportin financiar përfshihen edhe të ardhurat e fituara deri në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube, ndërsa fazat e mëvonshme pritet të reflektohen në bilancin e sezonit të ardhshëm.

Fitime rekord, por sërish me humbje në bilanc

Edhe pse klubi ka realizuar të ardhurat më të larta në historinë e tij, PSG mbylli vitin me humbje financiare, pa e bërë publike shifrën përfundimtare. Një vit më parë, humbjet ishin rreth 60 milionë euro, ndërsa këtë sezon shifra mendohet të jetë e ngjashme, për shkak të pagave të larta dhe kostove të operimit.

PSG është në pronësi të ‘Qatar Sports Investments’, që e bleu klubin në vitin 2011, duke e transformuar në një superfuqi të futbollit botëror, jo vetëm në fushë, por edhe në aspektin ekonomik.