Shkruar nga Endri ÇINARI
Ndeshja e fundit për fazën e dytë të kampionatit dhe që mbylli edhe vitin 2025 për Vllazninë ishte ajo ndaj Flamurtarit. Ku shkodranët triumfuan me rezultatin 3-2 kundër vlonjatëve, duke i bërë kështu një mbyllje pozitive fazës së dytë e duke i rikthyer tek 3 pikët. 3 pikë që mungonin prej 6 ndeshjesh rradhazi në kampin shkodran dhe risollën disi qetësinë. Ku në një moment po flitej për krizë në rradhët e shkodranëve, diçka që u mohua kategorikisht nga ana e kapitenit Balaj dhe drejtorit Sinani në një dalje mediatike të para pak ditëve.
Kështu 9 herë kampionët e vendit do shijojnë pushimet dimërore dhe duket se ky stopim i kampionatit vjen në momentin e duhur për Vllazninë. Me shkodranët që do rikuperojnë fizikisht, por edhe psikologjikisht gjatë kësaj periudhe.
Ku shumë futbollistë që kanë pasur lëndimet të vazhdueshme, do kenë kohën e duhur për t’u rikuperuar në maksimumin e tyre. Dhe të jenë në formën më të mirë në rivijimin e edicionit në pjesën e dytë të tij, ku kampionati kthehet në gjysmën e muajit janar.
Gjithashtu skuadra do rikuperojë edhe psikologjikisht, ku presioni për të fituar titullin kampion duket se po ndihet pak në kampin shkodran. Teksa skuadra do ketë një periudhë prej 6-7 ditësh pushim, për t’u rikthyer në fushën stërvitore dhe nën ritmin e plotë në fillimin e vitit 2026.
Ku madje shumë futbollistë të kuqebluve kanë udhëtuar drejt vendlindjeve të tyre, për të shijuar festat e fundvitit pranë familjarëve të tyre. E për t’u rikthyer me energji e besim tjetër në Shkodër, ku objektivi i vetëm për edicionin 2025-26 ngelet rikthimi i titullit kampion në Shkodër pas 25 vitesh mungesë.


