Si shumë shkodranë të tjerë edhe ish- futbollisti i Vllaznisë Edmond Doçi është zhgënjyer me lojën e dobët dhe humbjen e kuqebluve ditën e dielë ndaj Teutës. Por sipas tij, skuadra i ka mundësitë për të dalë nga kjo situatë dhe për t’iu rikthyer rezultateve pozitive. Madje sipas tij, kjo mund të ndodhë që këtë fundjavë në ndeshjen që do të luhet në Gjirokastër.

Një deklaratë të tillë ai e ka bërë në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa ku ka qenë i ftuar mbrëmjen e së hënës kur ka deklaruar: “Vllaznia mendoj se i ka të gjitha mundësitë për të bërë paraqitje më të mira këtë sezon nisur edhe nga përbërja që ka. Mbase, gjendja jo e mirë fizike e disa prej lojtarëve të ardhur në merkaton e kësaj vere, po ndikon por me kalimin e javëve ata do ta rrisin lojën e tyre dhe kanë për t’u shndërruar në lojtarë të rëndësishëm për ekipin. Personalisht mendoj se kuqeblutë luajnë më mirë jashtë Shkodre sesa në Shkodër. Dhe për këtë arsye, të shtunën ata do t’i marrin pikë Luftëtarit në Gjirokastër. Jam shumë i bindur për këtë gjë”.

© shkodrasport.com