Nga Endri ÇINARI

Një pikë e “dobët” për Vllazninë në këtë start sezoni nëse mund të cilësohet e tillë vetëm pas 6 raundeve duket se janë ndeshjet jashtë Shkodrës. Në një moment ku kuqeblutë shfaqen dominues si në lojë dhe rezultat në ndeshjet brenda fushës së tyre, duke mos lënë asnjë pikë e njëjta gjë nuk ndodh kur 9 herë kampionët e vendit tonë luajnë larg “Loro Boriçit”. Pavarësisht se loja e ekipit të Martinit nuk ka zhgënjyer aspak edhe në ndeshjet jashtë, por thjesht rezultatet nuk i janë përgjigjur asaj çfarë ekipi ka dhuruar në fushën e lojës.

Kështu nga dy ndeshje të zhvilluara jashtë, konkretisht në Elbasan ndaj Dinamos, Vllaznia është mposhtur 3-1 nga blutë. E po ashtu në Durrës ndaj Teutës, shkodranët nuk shkuan më shumë se në një barazim 1-1. Duke marrë në këtë mënyrë vetëm 1 pikë nga 6 të mundshme në këto duele. Duke pasur një konstrast me ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, ku shkodranët kanë një rekord 100% të fitoreve dhe pikëve deri në këto momente të sezonit 2025-26. Ku në 4 ndeshje të zhvilluara në shtëpi kanë marrë plot 4 fitore duke fituar kështu 12 pikë nga 12 të mundshme, shkruan shkodrasport.com

Kështu kuqeblutë nuk fitojnë një ndeshje në kampionat jashtë fushës që nga data 31.01.2025. Ku në kuadër të sezonit 2024-25 mposhte Teutën në Durrës me shifrat 1-3, sfida ishte e vlefshme për raundin e 23-të të Superiores dhe vendosej nga golat e Males, Balajt dhe Dodajt, teksa për durrsakët për statistikë gjente golin Beshiraj. Pra, një periudhë prej 8 muajsh që Vllaznia nuk fiton jashtë fushe në kampionat, teksa këtë sezon ka shijuar një sukses në Letoni kundër Duagavpils. Teksa në ndeshjen e kthimit të turit të parë të Conference League fitonin 2-4 në vendin balltik.

E kështu në ndeshjen e së shtunës kundër Bylis në kuadër të javës së 7-të të Superiores, 9 herë kampionët e vendit do kërkojnë fitoren e parë jashtë fushe këtë edicion. Por, edhe fitoren e parë jashtë Shkodrës prej 8 muajsh, një periudhë shumë e gjatë për një skuadër pretendente dhe që lufton për zonat e larta të renditjes si Vllaznia.(www.shkodrasport.com)