Me dy gola të shënuar që në pjesën e parë, Vllaznia U19 ia ka dalë të fitojë me rezultatin 2-0 dhe të marrë një trepikësh shumë të rëndësishëm ndaj Tiranës kryesuese të kampionatit.
Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” në një përballje shumë interesante. Ekipi shkodran ndonëse me disa mungesa të rëndësishme në formacion si rrjedhojë e dëmtimeve të disa prej titullarëve apo dhe me mungesën e sulmuesit Nikaj i ndëshkuar me karton të kuq në takimin e kaluar, dukej se do të ishte e vështirë për të pretenduar pikë në këtë takim, qoftë ky edhe një barazim.
Megjithatë fusha e lojës ka prodhuar tjetër gjë. Djemtë e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani kanë treguar më shumë dëshirë, grintë e karakter dhe për rrjedhojë kanë arritur të fitojnë.
Goli i parë ka patur për autor sulmuesin Angjelo Radovani në minutën e 13-të ndërkohë që për ta kompletuar serinë e golave ka menduar Eraldo Deda që pesë minuta para fundit të pjesës së parë.
Në të dytën pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve, nuk ka patur gol tjetër dhe i gjithë takimi është mbyllur me fitoren e Vllaznia U19 me rezultatin 2-0. Me këtë trepikësh, ajo ngjitet në kuotën e 22 pikëve duke u barazuar tashmë me Partizanin e vendit të tretë.
© shkodrasport.com