Për të pestin sezon me rradhë është pjesë e Vllaznisë dhe ka dhënë kontributin e saj në fitimin e pesë titujve kampionë. Arbiona Bajraktari është një vajzë kosovare e cila siç thotë edhe vetë “asht ba shkodrane” tashmë dhe madje në një prononcim për “Shkodra Sport” e pranon se do të vazhdojë të luajë me këtë skuadër edhe në të ardhmen ndonëse në adresë të saj nuk kanë munguar ofertat.

“Ekipi i Vllaznisë ka në përbërje të saj lojtare shumë të mira të cilat janë të preferuara jo vetëm nga ekipet e
Kosovës por edhe më gjerë. Megjithatë unë jam ndier shumë mirë këtu. Kam pasë disa oferta jo direkte, por në mënyrë të tërthortë nga ekipe të ndryshme kosovare, por edhe vetë ata e dinë që nuk largohem nga Vllaznia dhe prandaj menjëherë janë larguar.

Unë luaj prej 5 sezonesh me Vllazninë dhe në njëfarë mënyre edhe “unë jam ba shkodrane”. Arsyet pse kam qëndruar kaq
gjatë tek kjo skuadër janë të shumta. E para, Vllaznia është një ekip që më ka bërë të ndihem shumë mirë, nuk kam
patur asnjëherë probleme.

Ambjenti këtu është shumë i mirë, presidenti është shumë i mirë dhe nuk bën asnjë dallim në mes lojtareve shqiptare
dhe atyre kosovare apo dhe të kombësive të tjera. Të gjitha ndjehemi të barabarta tek ky ekip dhe kjo besoj se është
arsyeja kryesore që unë do të vazhdoj të jem pjesë e Vllaznisë edhe në të ardhmen”.

Mbrojtësja e qendrës Bajraktari është njëkohësisht një nga pikat më të forta edhe të kombëtares shqiptare dhe e pyetur pse vendosi të vazhdonte të luante me të, kur fare mirë mund të kishte zgjedhur kombëtaren kosovare, ajo shprehet: “Prej grupmoshave të vogla jam pjesë e kombëtares së Shqipërisë dhe nuk është se kam patur ndër mend ndonjëherë të largohem edhe prej saj”.
www.shkodrasport.com