Egnatia dhe Laçi barazuan 1-1 për 1/8 e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e zhvilluar mesditën e së mërkurës në Rrogozhinë, pa luftë sportive dhe grintë në fushë, teksa gjithçka do vendoset mes tyre në sfidën e kthimit në datën 9 shkurt.

Ndeshja nisi më mirë për miqtë e Josës, që dominuan minutat e para të sfidës, duke kaluar në avantazh me Shehun nga pika e bardhë e 11 metërshit në minutën e 17. Vetëm pesë minuta zgjati avantazhi i Laçit, me Maganin që u kujdes për të vendosur ekuilibrat në të 22 minutë.

Pjesa e dytë ishte e luftuar, me vendasit që ishin më kërkues. Në fund 1-1, me skuadrat që do kërkojnë biletën e kualfikimit në ndeshjen e kthimit.

Pas ndeshjes për Gol pas Goli foli trajneri i Egnatias, Zekirija Ramadani.

“I kënaqur me barazimin? Duhet të jemi të kënaqur. Pjesa tjetër e ndeshjes na pret në Laç. Objektivi ishte mos ta humbisnim, ky rezultat na mban në lojë. U futëm me respekt më shumë për Laçin, që e meriton se ka bërë mirë. Për objektivin që kemi, ky rezultat na sjell pozitivitet.

Duhet të përqëndrohemi te ndeshja e radhës me Dinamon, kur të jetë ndeshja e radhës me Laçin do fokusohemi dhe shpresojmë që mos kemi mungesa. Deri tani jemi mirë.

Sulmi? Do jetë reklamë për ne dalja në gjysmëfinale, sepse jemi klubi i ri. Të jemi të kënaqur me ekipin dhe angazhimin e lojtarëve. Jemi ekip i ri dhe po bëjmë mirë në çdo kohë. Me kundërsulme na ka dalë mirë dhe do luajmë me këtë lloj mënyre. Kupa sjell surpriza, pse mos jemi ne këtë vit?”, tha Ramadani.